E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani i thotë mjaft, me Besën për tri pikë

Nga ELTON KARAJ

Verdheblutë, edhe pse i kanë shuar pretendimet për këtë sezon, janë të vendosur të mos u hapin rrugë kavajasve

Skuadra e Elbasanit vijon me intensitet të plotë stërvitjen pas humbjes në Vlorë. Ajo po përgatitet për ndeshjen me Besën dhe kërkon që të bëjë maksimumin në këtë takim, ku do të luajë me formacionin më të mirë, duke vazhduar atë që kanë deklaruar vazhdimisht se do ta respektojnë kampionatin dhe do të luajnë pa asnjë kompromis në çdo ndeshje.

Lojtarët verdheblu duket se me zor po presin fundin e këtij sezoni jo pozitiv për ta me synimin që të shohin më shumë nga sezoni tjetër, ku synimet do të jenë madhore drejt superligës. Megjithatë, kjo nuk i pengon lojtarët e Elbasanit që të japin maksimumin në çdo ndeshje që do të luajnë.

Ndaj Besës pritet që të jetë një Elbasan shumë agresiv, që do të kërkojë maksimumin e pikëve në një ndeshje të tillë, që do të luhet nga dy skuadra që kanë traditë në kategorinë superiore. Do të jetë një përballje mjaft emocionuese nga ana e të dyja skuadrave, të cila tashmë duhet të ishin në dy vendet e para.

Por verdheblutë në të gjitha ndeshjet kanë treguar një lojë të mirë, duke mos lënë asnjë dyshim se ekipi mund të bëjë aleanca në këtë fazë të mbetur të kampionatit. Elbasani tashmë e ka deklaruar se luan vetëm për prestigj dhe se do të jetë i ndershëm deri në fund të kampionatit. Gjithashtu, një synim tjetër i verdhebluve është edhe afirmimi i lojtarëve të rinj për sezonin e ardhshëm.

Tashmë na mbetet vetëm të presim ndeshjen për të parë lojën që do të zhvillojnë të dyja skuadrat. Ndeshja e fazës së parë përfundoi me rezultatin 4-2 për Besën, ndaj pritet që verdheblutë të kërkojnë të hakmerren për atë humbje, duke e mposhtur ekipin verdhezi në Ruzhdi Bizhuta. Verdheblutë janë shprehur se do të japin shpirtin në fushë për të mposhtur ekipin e Besës, duke parë që ajo cilësohet edhe një mace e zezë për ekipin e Elbasanit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›