E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nora: Luftëtari nuk bie në grackë në Velipojë

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Sulmuesi gjirokastrit, shënuesi më i mirë i ekipit, thekson se me Adën nuk do të përsëriten gabimet e bëra në Lezhë dhe Gramsh

Luftëtari i këtij sezoni, falë kujdesit të kryebashkiakut të Gjirokastrës, Flamur Bime, rezulton fatlum, pasi në gjirin e tij u kthyen dy futbollistët më të shquar gjirokastritë, mesfushori Bledar Devolli dhe sulmuesi Arlind Nora.  Në polinomin e ekipit në fjalë ata janë kufizat me gradën më të lartë. Këta dhe gjithë të tjerët, që po shfaqin edhe ata vlera më të larta se në të kaluarën, kanë bërë që Luftëtari të jetë kryesues dhe pretendent kryesor për superioren.

Në ndeshjen me Gramozin ky ekip u shfaq edhe një herë prepotent, shënoi 4 gola, duke arritur në 22 në total, ku 9 prej tyre sjellin siglën Nora dhe aty përfshihen 4 dygolësha. Ai ka luajtur 9 ndeshje, sepse në dy ka munguar për shkak se ka qenë i dëmtuar dhe në një i pezulluar. Ashtu si Luftëtari kryeson si ekip, edhe Nora është kryesues i listës së shënuesve, bashkë me Ivanajn.

Edhe ndaj Gramozit ai realizoi 2 herë, ndërkohë që oreksin e ka të pashuar. Ndeshjen e radhës Luftëtari do ta zhvillojë në transfertë me Adën lozonjare, që në fushën e saj është disi e rreptë, tek nuk ka shijuar humbje. Pra, do të jetë një përballje me koeficient të lartë vështirësie, por ai, për objektivin që ka, duhet ta kapërcejë me sukses, ose më hapur, në radhë të parë nuk duhet të humbasë. Që Luftëtari i ka këto mundësi, e tregojnë disa përballje në transfertë, ku veçohet ajo në Kavajë me Besën.

Nora Arlind Nora, çudibërësi i gjirokastritëve, për fitoren e fundit dhe ndeshjen e radhës thotë: Në ndeshjen me Gramozin treguam edhe një herë se këtë sezon mund të nxjerrim dy formacione të afta për të konkurruar në kampionat dhe kupë. Nuk mbahet mend që ky ekip të ketë raelizuar ndonjëherë 7 fitore radhazi në Gjirokastër. Pra, nga sa them e të tjera, del se kemi një ekip me ndryshime cilësore të paktën nga 4 sezonet paraardhëse, kur ka luajtur në kategorinë e parë.

Është e pranueshme për të gjithë, që një rol të veçantë në ekipin tonë po luan kapiteni Devolli, i cili tregohet i madh, sepse vë në lëvizje gjithë të tjerët, si një lider i vërtetë. Do të na duhet  të kujdesemi që në tri ndeshjet e mbetura të fazës së parë të mos humbasim terren Do të ndeshemi me Adën, që në fushën e saj paraqitet mjaft e rrezikshme. Për të marrë një rezultat të kënaqshëm nuk duhet të biem në grackë, sikundër bëmë në Lezhë dhe në Gramsh.

Mungesat në këtë ndeshje do të jenë më të pakta se me Gramozin. Morali ynë është i rritur dhe motivimi është nxitës. Nëse ndeshja do të zhvillohet në aspektin e mirëfilltë sportiv dhe me gjykim korrekt, them se Luftëtari e kapërcen faktorin fushë, që e ka në avantazh Ada.  Ne nuk do të kursehemi në fushë, sepse e dimë që finishi do sakrifica të veçanta, pasi çdo ekip do që të pozicionohet sa më mirë, qoftë edhe për fazën e parë.

4 dygolësha

ka realizuar sulmuesi gjirokastrit në 9 ndeshjet që ka luajtur deri tani me fanellën e Luftëtarit. Konkretisht, ai ka shënuar dy herë në portën e Butrintit në Sarandë dhe më pas në Gjirokastër po nga dy herë në portan e Elbasanit, Ilirisë dhe së fundi të Gramozit. Gjithashtu, Nora ka shënuar një gol të rëndësishëm në transfertën e vështirë të Kavajës, ku ekipi barazoi 1-1 me Besën

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›