E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Lushnja tani di të fitojë edhe jashtë Roza Haxhiut

Nga Julian Kasapi

Mesfushori lushnjar, Fatjon Topi, thekson se skuadrës së tij i bëjnë punë vetëm 3 pikët në ndeshjen e radhës me Gramozin

Verdhejeshilët vijojnë përgatitjet në kuadër të takimit të radhës së kampionatit. Pasi kanë analizuar gjithçka për takimin me Gramshin, e fituar me dy gola, lushnjarët nuk kanë kohë për të marrë frymë, ndërkohë që Gramozi, kundërshtari i radhës, meriton vëmendjen e duhur. Për skuadrën lushnjare në këtë fazë të kampionatit nuk ka ndeshje të lehta dhe ndeshje të vështira, ndaj dhe sigurisht i kanë peshuar mirë gjërat.

Pa dyshim që skuadrës i duhet fitorja në transfertë, edhe pse ka një varg të tillash, 6 që nga koha, kur Saimir Malko është në drejtim të saj. Përfshirja e elementëve të duhur, presidenca e përkushtuar, stafi i kualifikuar, si dhe futbollistët e afruar në skuadër, kanë bërë që Lushnja të jetë fituese pa ndërprerje. Janë 18 pikë të marra, pas 4 fitoreve në shtëpi dhe 2 në transfertë.

Topi Futbollistët ndihen komodë me korrektesën e këtij sezoni dhe shprehen se janë të motivuar të punojnë. Fatjon Topi, mesfushori shkatërrues i Lushnjës, ndihet mjaft mirë që është rikthyer këtë verë në shtëpi dhe që po kontribuon në fitoret e skuadrës. Kemi një president që na ka plotësuar kushtet ne futbollistëve, kemi edhe një staf teknik që na gjendet gjithmonë pranë dhe nuk ka se si të mos jemi fitues.

Nga ana jonë, nuk ka për të munguar puna sistematike, – thotë futbollisti më punëtor në fushë e më fjalëpak i Lushnjës. Fitorja ndaj Gramshit ishte një rrjedhë logjike e lojës sonë, madje edhe vetë kam shpërdoruar dy raste, kur topi nuk mu bind dhe përfundoi mbi traversë. Kjo është ajo që duhet të bëjjmë këtë javë deri në takimin me Gramozin, të rregullojmë punën me finalizimin, sepse kemi humbur shumë raste, jo vetëm në ndeshjen e  fundit, por edhe ato para saj. Me Gramozin nuk diskutojmë rezultat tjetër përveç fitores, sepse u mësuam që mund dhe duhet të fitojmë edhe jashtë Roza Haxhiut, – ka përfunduar mesfushori Fatjon Topi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›