Ministria i jep premio Partizanit, por ka paqartësi me rrogat
Disa ditë më parë bëhej fjalë për rrogat te Partizani, ku thuhej se ministria e ka zgjidhur ngërçin, por realisht problemi mbetet aktual, madje disi i pështjelluar. Por për fitoren me Turbinën, 2-1, të kuqtë e kryeqytetit kanë kanë përfituar një premio të vënë nga ministria, që në total shkon 1.5 milionë lekë të vjetra. Kjo shumë është shpërndarë në mënyrë partizançe, ku titullarët kanë marrë në dorë nga 100 mijë lekë të vjetra, ndërsa lojtarët e stolit dhe ata që nuk janë përfshirë në ndeshje kanë ndarë pjesën e mbetur.
Edhe pse lojarët e kuq janë shpërblyer për këtë ndeshje, sërish mbeten me sy e veshë nga shlyerja e rrogave, pasi mësohet se deri tani mund të jenë paguar vetëm pesë lojtarë. Thuhet se shuma që ata do të përfitojnë në muaj është 310 mijë lekë të vjetra. Ky problem vjen nga ndërrmarrjet e Ministrisë së Mbrojtjes, sepse kanë filluar të shlyejë copa-copa pjesëtarët e skuadrës. Por edhe në këtë rast është gjetur justifikimi, pasi thuhet se ministria do ta shlyejë pjesën e mbetur brenda mesit të dhjetorit.
