Nora: Luftëtari nuk dehet nga sukseset
Sulmuesi gjirokastrit, Arlind Nora, thekson se golat mund të vijnë nga çdo futbollist i ekipit të tij
Arlind Nora, pas javës së 10-të të kampionatit, rezulton i aktivizuar në 7 ndeshje, sepse në 2 nuk luajti për arsye dëmtimi dhe në 1 për arsye kartonësh. Ai ka shënuar 7 gola, nga të cilët 2 me 11-metërsh. Nora është autori i 3 dygolëshave dhe mesatarisht ka 1 gol për ndeshje, ndërkohë që kryeson listën e golashënuesve, sikundër dhe ekipi i tij tabelën. Te Luftëtari janë edhe 5 golashënues të tjerë: Raboshta, Mersini, Sinani, Baci dhe Çaço.
Gjirokastritët fituan thellë, 5-1, me Ilirinë, ndërkohë që nesër, në kuadrin e Kupës së Shqipërisë, presin kampionin e superligës, Skënderbeun. Sikundër pohon trajneri i Luftëtarit, Mustafa Hysi, ekipi i tij këtë sezon nxjerr dy formacione, njëri që luan në kampionat dhe tjetri që e mban këtë në tonus dhe shfaqet në ndeshjet e kupës. Nga drejtuesit e këtij ekipi pranohet se nuk ka pretendime për ta fituar kupën, që nuk nënvlerësohet, por përparësi ka kampionati, ndaj dhe përqendrimi do të jetë në transfertën e Gramshit.
Nora Arlind Nora, i cili realizoi 4 gola javën që lamë pas, 2 me Elbasanin të mërkurën dhe 2 me Ilirinë të shtunën, mendon se ekipi i tij do të tregojë autoritetin e tij edhe në Gramsh: Ekipi ynë ndodhet në një formë sportive shumë të mirë. Loja dhe rezultatet kanë ardhur në rritje, duke arritur zenitin në ndeshjen me Ilirinë, ku realizuam 5 gola. Është e qartë se nuk duhet të dehemi nga sukseset, përkundrazi, duhet të vazhdojmë të punojmë me intensitet në stërvitje dhe të luajmë me përkushtim në çdo ndeshje.
Nesër do të përballemi me Skënderbeun kampion për kupë, por, edhe pse nuk jam trajner, them se dy ekipet në fjalë nuk do të përballen me formacionet e tyre më të mira. Luftëtari me siguri do të vazhdojë programin si në ndeshjet e mëparshme të kupës, duke pasur këtë radhë mendjen te transferta me Gramshin, ku pa dyshim do të hasim një rezistencë të fortë. Do të duhet të djersijmë mirë për ta kapërcyer me sukses.
Deri tani janë 6 futbollistë të ekipit që kanë realizuar gola, ndaj përbën një rrezik për çdo ekip të kategorisë së parë, sepse kundërshtarët nuk mund ta dinë se nga kush mund të pësojnë gol. Ne kemi edhe lojtarë të tjerë, që dinë të shënojnë, edhe pse ende nuk e kanë bërë këtë. Këtu bëjnë pjesë Devolli, Stoja, Braho, Shalari, që me siguri do të shfaqen në momente delikate. Është kjo që më bën optimist se edhe me Gramshin do të marrim rezultatin e dëshiruar, nëse ndeshja do të jetë korrekte, pra vetëm sportive.
