“Lindje Perëndim Lindje” renditet ndër dhjetë filmat më të mirë për 2009
Filmi “Lindje Perëndim Lindje” i regjisorit Gjergj Xhuvani është përfshirë në dhjetë filmat më të mirë të vitit që lamë pas, që janë shfaqur në kinema Millennium. Filmi i vendos ngjarjet në një periudhë kyçe të historisë shqiptare siç janë vitet ‘90. Në një Shqipëri të varfër e të izoluar, në prag të ndryshimeve që sollën rënien e komunizmit. Ngjarjet të cilat zhvillohen ndërmjet Shqipërisë, Italisë e ish-Jugosllavisë. Tregojnë për peripecitë e një grupi çiklistësh, të udhëhequr nga Ilo, një ish-kampion 40-vjeçar, që duhet të përfaqësojnë Shqipërinë në një garë në Francë. Ngjarjet fillojnë kur në Ministrinë e Sportit dhe Kulturës së asaj periudhe, mbërrin një letër e ardhur nga Evropa, e cila fton çiklistët shqiptarë të marrin pjesë në një kampionat që do të organizohet në Francë. Ilo, ishte një kampion i harruar që ushqente pasionin e tij duke rregulluar biçikleta. Por pas kësaj letre ai vihet në krye të pesë çiklistëve për t’u nisur drejt Perëndimit. U nisën në një garë çiklizmi, por në fakt mbetën rrugëve. Në Itali dëgjojnë për protestat në Tiranë, për njerëz që hyjnë në ambasada, për shembjen e të shkuarës dhe nisjen e një ëndrre të re. E gjejnë veten të braktisur në Trieste nga zyrtarët e ambasadës shqiptare në Itali. Nuk shkojnë dot në Francë, por nuk dinë si të kthehen as në Shqipëri. Shteti nuk ekziston më. Trajneri dhe çiklistët do të udhëtojnë me biçikletë nëpër Jugosllavinë e asaj kohe për të mbërritur në Shqipëri. Në kastin e aktorëve spikasin Ndriçim Xhepa, Fino, Gentjan Hazizi, Ervin Bejleri, Lulzim Zeqja, Fajton Pustina, Romir Zalla, Petrit Malaj, si dhe aktorja me origjinë boshnjake, Nela Luciç, që ka punuar me aktorët italianë Pupi Avati, Tinto Brass e Peter Del Monte. Skenari është shkruar nga shkrimtari e skenaristi i njohur, Dhimitër Xhuvani, i cili disa kohë më parë u nda nga jeta, nga vetë regjisori Gjergj Xhuvani dhe nga një tjetër skenarist i afirmuar shqiptar siç është Jani Duri. “Lindje-Perëndim-Lindje” është një prodhim italo-shqiptar, që ka filluar xhirimet e tij në prill të vitit 2008. Shesh-xhirimet e këtij filmi janë vendosur në Shqipëri (Durrës, Përmet, Qafë-Thanë), Maqedoni dhe Itali. “Lindje-Perëndim-Lindje” është filmi i tretë i regjisorit Gjergj Xhuvani që është shfaqur në kinema “Millenium”. Nga shtypi ai është cilësuar si një vijim i dy filmat të mëparshëm të këtij regjisori; “Parrullat” dhe “I dashur armik”. “Lindje-Perëndim-Lindje” është një dramë që zgjat për rreth 100 minuta, ku piktor është Durim Neziri, ndërsa si producentë të këtij realizimi janë Arben Tasellari, Francesko Tagliabue.
Fan Noli, një bust në vendin e lindjes Turqi
Një bust për Fan Nolin në Turqi, në vendin ku ai lindi. Ky është një vendim i marrë pak kohë më parë nga bashkia e Ibrik Tepes pas kërkesës së autoriteteve shqiptare. Pas kërkesave të vazhdueshme të disa shoqatave të ndryshme, Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë është vendosur që busti i Fan Nolit të vendose të Ibrik Tepe në vendlindjen e tij në Turqinë Evropiane. Ylli Polovina në cilësinë e një prej iniciatorëve ka treguar për negociatat dhe vendimin e marrë. Fan Noli është një prej personaliteteve më të larta të historisë dhe kulturës së kombit tonë. Ai lindi në 6 janar të vitit 1886 në Ibrik Tepe deri në moshën 18-vjeçare dhe pastaj studioi në Greqi dhe më pas në SHBA. Fan Noli mund të quhet shqiptari parë që u diplomua në Universitetin më të mirë në botë Harvard. Ai ishte kryeministër i Shqipërisë, themeluesi i kishës autoqefale ortodokse shqiptare por edhe më shumë se kaq ka një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsi dhe art. Pikërisht për këto arsye intelektualët shqiptarë kanë kërkuar që një bust i tij të vendoset në vendin e tij të lindjes. Së shpejti do të konfirmohet nga Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve për shpalljen e konkursit për ndërtimin e bustit që do të vendoset në Turqi.
7 Janar 2010