E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzheja “helmohet” në Antalia, Kombëtarja humbet me Adanasporin

Dash Frashëri

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, mori sinjale jo optimiste pas ndeshjes së parë miqësore në grumbullimin e Turqisë, madje kroati u largua jo pak i zhgënjyer nga mënyra e interpretimit të lojës nga lojtarët e tij. Shqipëria (B) humbi 2-1 miqësoren me Adanasporin, klubin turk të Kategorisë së Dytë (vendi i pestë), në takimin e zhvilluar në Belek të Antalias. Golin e vetëm të përfaqësueses (së kampionatit shqiptar) e shënoi mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila (66’) me një gjuajtje jashtë zonës, por ai shërbeu sa për statistikë, pasi Adanspor udhëhoqi 2-0. Sipas faqes zyrtare së Federatës Shqiptare të Futbollit, fshf.org, trajneri i Kombëtares, kroati Josip Kuzhe, e nisi takimin me këtë formacion: Moçka (Flamurtari), Lila (Tirana), Pisha (Dinamo), Shoshi (Apolonia), Samina (Gramozi), Muça(Dinamo), Sefa (Tirana), Muzaka (Tirana), Bakaj (Dinamo), Vila (Lokomotiva Zagreb) dhe Bala (Vllaznia). Kombëtarja, gjithnjë sipas fshf.org, nuk zhvilloi një lojë të mirë në pjesën e parë të mbyllur me fitoren 1-0 nga ana Adanasporit. Me fillimin e fraksionit të dytë të ndeshjes, skuadra turke shënoi shumë shpejt edhe golin e dytë. Më pas pasuesi i holandezit Ari Han ndërroi portierin Moçka për Sulejman Hoxhën (Apolonia), duke vazhduar më mbrojtësit Ditmar Bici (Tirana), Olsi Gocaj (Kastrioti), mesfushorët Emiljano Veliaj (Laçi), Sabien Lilaj (Tirana), për tua lënë radhën sulmuesve Sokol Cikalleshi (Besa), Odise Roshi (Flamurtari) dhe Vasil Shkurtajt (Olimpiakos i Pireut). Bala, Roshi, Cilalleshi e Veliaj kanë pasur raste për të shënuar, por nuk janë treguar të saktë përballë portës të Adanasporit. Ndeshja e radhës e Kombëtares (B) do të zhvillohet, më 9 janar, ndërkohë që skuadra do të vazhdojë grumbullimin sipas programit me dy seanca stërvitore.

FSHF-ja, në sulm për talente në Itali e Greqi

Federata Shqiptare e Futbollit po i kushton një kujdes të posaçëm lojtarëve shqiptarë që luajnë në kampionatet e huaja, sidomos të atyre që aktivizohen me ekipe greke dhe italiane, ku janë instaluar edhe dy nga tre zyrat e posaçme të ngritura nga insititucioni e futbollit. Në Greqi e Itali militojnë me skuadra të moshave një numër i madh futbollistësh që mund të shërbejnë si kandidatë potencialë për Kombëtaret U-21, U-19, U-17 dhe U-15.
Sipas zëdhënësit të FSHF-së, nga data 18 deri më 20 janar 2010, trajnerët e ekipeve kombëtare U-17 dhe U-15, respektivisht Ardian Mema dhe Sulejman Demollari, do të zhvillojnë stërvitje me talentet shqiptarë që gjenden në vendin fqinj, përkatësisht të datëlindjeve 1994 dhe 1995. Stërvitjet do të zhvillohen në qytetin e Rietit, në fushën stërvitore të klubit të futbollit që mban të njëjtin emër. Të gjithë lojtarët e interesuar për të marrë pjesë në këto seanca stërvitore mund të kontaktojnë edhe me Zyrën e Talenteve në Itali me drejtues Irfan Pengili. Nga data 18-20 janar ekipet kombëtare të moshave U-21 dhe U-19 do të grumbullohen në një zbor në Greqi. Federata Shqiptare e Futbollit do të zhvillojë gjatë këtij muaji grumbullime me lojtarët shqiptarë që aktivizohen në skuadrat e kampionatit grek. Nga data 18 deri më 20, trajnerët e Kombëtarëve U-21 dhe U-19, Artan Bushati dhe Ramadan Shehu, do të zhvillojnë stërvitje me talentet shqiptarë që gjenden në vendin fqinj, përkatësisht të datëlindjeve 1991-1992 dhe 1993-1994. Stërvitjet do të zhvillohen në Athinë, në fushën stërvitore në “Aias Tavru” në Pireos dhe Hamosternas, Tavros. Të gjithë lojtarët e interesuar për të marrë pjesë në këto seanca stërvitore mund të kontaktojnë edhe me Zyrën e Talenteve në Greqi.

7 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›