Shkodra zgjedh Princin e muzikës për fëmijë
Kënga “Futbollisti i vogël”, kënduar nga Tedi Paçrami dhe Riad Bashi, është fituesja e çmimit të parë në festivalin e fëmijëve që u mbaj në Shkodër. Kënga është me tekst, muzikë dhe orkestrim të Jetmir Barbëllueshit dhe u vlerësua si më e mira mes 25 interpretimeve. Nata finale e Festivalit të Muzikës për Fëmijë në Shkodër ofroi shumë surpriza dhe zbuloi talente të reja të muzikës. Festivali, tashmë i kthyer në traditë, ka fillesat e tij që nga viti 1963 dhe në vitet e fundit është kthyer në një event mbarëkombëtar. Në edicionin e 48-të që u mbajt sërish në teatrin “Migjeni”, kanë marrë pjesë mbi 200 fëmijë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe diaspora. Për tre net me radhë muzika, kërcimet, humori e lojërat kanë sjellë shumë emocion mes fëmijëve dhe të pranishmëve që kanë ndjekur këtë event të vetëm që i kushtohet muzikës për fëmijë në Shqipëri. Edicioni i 48-të është mbajtur falë bashkëpunimit të qendrës kulturore të fëmijëve në Shkodër, shoqatës “Shpirti artistik i Shkodrës” me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Kulturës, RTVSH, si dhe me mbështetjen e sponsorit “Primo Communications”. Nga kjo skenë e festivaleve të këngës për fëmijë kanë dalë mjaft emra të mëdhenj të muzikës shqiptare, që kanë bërë mjaft emër edhe në skenat botërore. Mjafton të kujtojmë Inva Mulën, e cila ka dalluar si një talent me zë brilant në një nga edicionet e këtij festivali. Por edhe Zeliha Sina, Justina Aliaj, Nikoleta Shoshi, David Tukiqi, Suzana Qatipi, Myfarete Laze, Ardit Gjebrea, Irma Libohova, Frederik Ndoci, Elida Koreshi, Parashqevi Simaku, Shirli Polena, Aurela Gaçe, Josif Gjipali, Ervin Bushati, Mariza Ikonomi, Jonida Maliqi, Rosela Gjylbegu, Dorina Garuci, Kejsi Tola. Këta janë vetëm një pjesë e vogël e shumë emrave të njohur që kanë pasur si djep të talentit të tyre këtë Festival të Muzikës për Fëmijë. Autorët e këtij festivali ndër vite kanë qenë me dhjetëra dhe shumë emra të njohur. Regjisorë, kompozitorë, autorë tekstesh e kanë pasur si pjesë të rëndësishme të karrierës së tyre këtë event. Edicioni i 48-të i këtij festivali është realizuar nën drejtimin e drejtorit të festivalit, Kujtim Alija, drejtorit artistik Roland Guli, redaktorit përgjegjës Bardhyl Hysa, regjisorit Osman Mula, skenaristes dhe drejtueses së festivalit, Manjola Lloja. Në tri netët e këtij festivali kanë interpretuar 25 këngëtarë të rinj.
#