E Shtunë, 31 Tetor 2026

Normat e interesit, nuk ka ulje deri në fund të vitit

20/11/2009  Edhe pse Banka e Shqipërisë uli koston e lekut, bankat nuk reaguan

Ulja e normës bazë të interesit për lekun nga Banka e Shqipërisë nuk do të sjellë ndryshim në interesat që bankat e nivelit të dytë aplikojnë për kreditë ndaj qytetarëve. Ulja e normës bazë të interesit në 5.25 për qind në muajin tetor do të mund të japë ndikimin e vet ndoshta gjatë vitit të ardhshëm. Drejtues të bankave u shprehën se një ulje e mundshme do të ishte e vështirë të aplikohej menjëherë, gjë që e konfirmojnë edhe të dhënat e Bankës së Shqipërisë apo vëzhgimi i saj për aktivitetin kreditues. Në tremujorin e katërt dhe të fundit të këtij viti, sipas pyetësorit të plotësuar nga punonjësit e vetë bankave nuk pritet të ketë ndryshim në normat e interesit.

Raporti

Në vëzhgimin e fundit të Bankës së Shqipërisë theksohet se normat e interesit për kreditë që do të akordohen në tremujorin e katërt të vitit 2009 nuk do të pësojnë ndryshime nga tremujori aktual. Për tremujorin në vazhdim, rreth 80 për qind e bankave nuk presin ndryshime në normat e interesit për kreditë në lekë dhe në valutë. Bankat shprehen se faktorët kryesorë për mosndryshimin e normave të interesit kanë të bëjnë me gjendjen dhe koston e likuiditetit, me mundësinë për të qenë më konkurrues në tregun e kredive, si dhe me ndikimet e krizës financiare. Në tremujorin e tretë është rritur rëndësia e faktorëve si burimi i të ardhurave në valutë të huaj, pritjet për kursin e këmbimit dhe ndërgjegjësimi i ulët për zhvillimet ekonomike në të ardhmen.

Kredia në valutë

Bankat e nivelit të dytë presin një rënie të aktivitetit kreditues në monedhë të huaj gjatë tremujorit të fundit të vitit. Gjithashtu, sipas BSH-së, është rritur përqindja e bankave që presin rritje të ritmit të aktivitetit kreditues në lekë për tremujorin e katërt të vitit 2009. Konkretisht treguesi shënon 41.1 për qind krahasuar me 33.6 për qind që ishte në tremujorin e kaluar. Sipas Bankës Qendrore, është rritur përqindja e bankave që presin rënie të aktivitetit kreditues në monedhë të huaj për tremujorin e katërt të vitit. Faktorët që rrisin kërkesën e bizneseve për kredi në valutë janë diferenca në normat e interesit dhe burimi i të ardhurave në valutë. Në vrojtimin për tremujorin e tretë të vitit 2009, në pyetësor u shtuan disa pyetje të veçanta, lidhur me ecurinë e portofolit të kredisë në valutë si dhe faktorët që ndikojnë këtë ecuri. Në total bankat presin që portofoli i kredisë të zvogëlohet me 4 për qind në vitin 2009. Për vitin 2010 bankat parashikojnë se madhësia e portofolit të tyre të kredive të mbetet e pandryshuar. Ecuria e depozitave dhe mundësia e shtimit të kapitalit të bankave gjatë këtyre periudhave, vlerësohen nga ekspertët e bankave se do të kenë ndikimin më të madh në ecurinë e pritshme të kredisë në valutë. Një ndikim më të vogël pritet të ketë ecuria e linjave të kredisë me bankat mëma dhe ecuria e likuiditetit në tregjet ndërbankare.

Rreziku i normave të interesit

Banka e zbut këtë rrezik duke mbajtur një tepricë të konsiderueshme të aktiveve interesprurëse mbi detyrimet që paguajnë interes. Banka mban një portofol aktivesh dhe pasivesh financiare me interes të tillë, që e ardhura nga interesi neto është në mënyrë të ndjeshme më e lartë se kërkesat operative, e cila minimizon efektet e mundshme negative të ndryshimeve në normat e interesit. Normat e interesit që zbatohen mbi aktivet dhe detyrimet financiare paraqiten në çdo shënim korrespondues të pasqyrave financiare.

Rreziku i likuiditetit

Rreziku i likuiditetit lidhet me paaftësinë e BSH-së për të shlyer detyrimet financiare në kohën e duhur. Politikat e monitorimit të rrezikut të likuiditetit përcaktohen nga Këshilli Mbikëqyrës. Banka administron rrezikun e likuiditetit duke investiguar depozitat afatshkurtra në bankat e huaja dhe investimet në letra me vlerë të borxhit në tregje likuide dhe të sigurta.

Rreziku i këmbimit

Rreziku i kursit të këmbimit vjen si pasojë e diferencës në strukturën e monedhave midis aktiveve dhe detyrimeve. Banka Qendrore është e ekspozuar ndaj rrezikut të këmbimit gjatë kryerjes së transaksioneve me instrumente financiare në monedha të huaja. Struktura e monedhave të rezervës valutore aktualisht janë në euro dhe dollarë.

Rreziku i kreditimit

Rreziku i kreditimit është i lidhur kryesisht me rrezikun e pakësimit të vlerës së rezervës valutore për shkak të paaftësisë paguese. Ekspozimi ndaj këtij rreziku administrohet duke përcaktuar kufijtë mbi nivelin total të ekspozimit të lejuar ndaj institucioneve financiare dhe emetuesve të ndryshëm. Rreziku i kreditimit zvogëlohet duke krijuar një portofol të larmishëm.

Ari në bankat e huaja

Rivlerësohet ari shqiptar i depozituar në bankat e huaja. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, më 30 shtator 2009 vlera e arit të vendosur në depozita dhe llogari rrjedhëse në bankat e huaja ishte 6,370 milionë lekë. Në gusht të këtij viti vlera e arit në depozita ishte 6,101 milionë lekë. Sipas analizës së BSH-së, ari dhe metale të tjera të çmuara të përfshira në aktive vendase përfshin gjendjet e arit jomonetar, platinit dhe të argjendit në kasafortë, të vlerësuara me kursin e këmbimit fiks të Londrës në datën e bilancit, me një shumë totale prej 3,033 milionë lekësh. Një muaj më parë kjo vlerë ishte 2,894 milionë lekë. “Diferenca pozitive prej 408 milionë lekësh, rezulton nga rivlerësimi i arit i regjistruar në rezervën e rivlerësimit për muajin shtator 2009”, - thekson analiza e BSH-së. Në gusht 2009 diferenca ishte pozitive prej 218 milionë lekësh.

Rezerva e rivlerësimit

Fitimi neto nga luhatja e kursit të këmbimit të rezervës valutore është 1,779 milionë lekë gjatë shtatorit të këtij viti, i cili në gusht ishte 2,967 milionë lekë. Ai përbëhet nga luhatja pozitive e kursit të këmbimit të monedhave të huaja prej 1,371 milionë lekësh dhe nga luhatja pozitive e kursit të këmbimit dhe e vlerës së tregut të arit dhe metaleve të çmuara prej 408 milionë lekësh. Sipas BSH-së, rivlerësimi i letrave me vlerë, gjatë shtatorit ka luhatje negative prej 80 milionë lekësh, ndërsa në gusht kjo luhatje ishte pozitive me 27 milionë lekë. Ministria e Financave do të emetojë letra me vlerë të qeverisë me një total prej 18,870 milionë lekësh për mbulimin e humbjeve neto nga rivlerësimi deri në fund të vitit 2008, me maturitet të rinovueshëm prej 6 muajsh. Totali prej 18,870 milionë lekësh është mbulimi i humbjeve për periudhën 2003 -2008.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›