E Shtunë, 31 Tetor 2026

Norvegji, shkatërrohet eksplozivi në fermën e Breivik

OSLO- Policia norvegjeze deklaron se e ka shkatërruar një sasi eksplozivi, të gjetur në një fermë që ishte marrë me qera nga i dyshuari si organizator i sulmeve në Oslo dhe ishulli Utoja, Anders Breivik. Ferma gjendet 160 km në veri të Oslos. Autoritetet e rendit thanë se eksplozivët u shkatërruan në një shpërthim të kontrolluar, por nuk dhanë detaje rreth sasisë së tyre.

Anders Breivik vrau të paktën 76 të rinj në një kamp të Partisë Laburiste në ishullin Utoja, pas sulmit në ndërtesën e Qeverisë në Oslo. Ndërkohë avokati i Breivik është shprehur dje se klienti i tij, është plotësisht i çmendur.

“Breivik beson se është në lufte dhe mendja e tij është krejtësisht jashtë realitetit. Ai mendon se e gjithë bota, veçanërisht ajo perëndimore nuk kupton këndvështrimin e tij-ka thënë avokati i Breivik, Geir Lipestad. Sipas tij, Breivik duhet të shtrohet në spital dhe jo të mbyllet në burg, duke shtuar se 32 vjecari nuk është në gjëndje të kuptojë.

Por ndërkohë policia norvegjeze mendon të fusë një dispozitë të re në Kodin Penal përsa i përket padisë kundër Breivik, për ta dënuar atë për terrorizëm dhe krime kundër njerëzimit.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›