Nostalgji për Kosovën

Edhe pse ka oferta nga skuadrat evropiane, Shpëtim Babaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që në gjashtë muajt e ardhshëm të luajë në Kosovë.
Mesfushori kosovar thotë se është lodhur duke luajtur jashtë vendit që 13 vjet dhe tash është i vendosur që, për shkaqe personale, të luajë në futbollin kosovar, ku planifikon së paku ta kalojë sezonin pranveror.
Për 29 vjeçarin interesim kanë shfaqur skuadra nga Kazakistani, Azerbajxhani e Ukraina, por ai pëlqehet edhe në Kosovë nga Vëllaznimi, Drenica e Trepça.
“Ofertat nga jashtë që i kam nuk i plotësojnë kushtet e mia. Jam lodhur duke luajtur jashtë që më shumë se 10 vjet, kështu që ka mundësi që këta gjashtë muaj, ndoshta edhe më shumë, të luaj në Kosovë, për çështje personale”, deklaroi futbollisti prishtinas për Express.
“Kam pasur bisedime me Vëllaznimin, Drenicën e Trepçën. Deri kah e premtja do të vendos përfundimisht për njërën nga këto skuadra”, vazhdoi Babaj i cili thotë se do ta zgjedhë ofertën më të mirë nga këto tri opsione.
Ndërkohë, menaxheri i Babajt, Nexhmedin Haxhiu, ka konfirmuar se futbollisti ka oferta nga jashtë, sidomos nga Ukraina e Azerbajxhani, por fjalën e fundit do ta thotë vetë futbollisti.
Babaj pati një karrierë të bujshme jashtë vendit, duke luajtur për shumë skuadra si: Rudar Velenje, NK Smartno, Besa Kavajë, Elbasani, Zorya Luhansk, Shakhter Karagandy, Gramozi Ersekë, Tirana.