I besojnë Krasniqit
Arben Krasniqi të martën është emëruar selektor i përfaqësueses së Kosovës në basketboll nga Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
Krasniqi - i cili me Sigal Prishtinën viteve të fundit nuk ka lënë asgjë pa fituar në basketbollin kosovar- në krye të reprezentacionit të Kosovës do të ketë mandat njëvjeçar, por me mundësi vazhdimi të kontratës.
Në një intervistë dhënë Gazetës Express, trajneri prishtinas nuk e ka fshehur gëzimin e tij që është emëruar udhëheqës i ekipit kosovar, të cilin së fundi e drejtoi trajneri Agim Kasapolli.
“Është detyrë dhe obligim për secilin prej nesh që të kontribuojmë në ndërtimin e një përfaqësueseje sa më të fortë. Jam i vetëdijshëm që do të më pretë një punë e madhe për ta kryer, me shumë sfida. Por, me ndihmën e FBK-së dhe me ndihmën e vullnetit tim që kam për të punuar në përfaqësuese, besoj se të gjitha ato sfida do t’i tejkalojmë me sukses”, deklaroi Krasniqi për Express.
Një ndihmë të veçantë si selektor ai e pret nga ish basketbollisti i njohur Habib Ademi, i cili mban pozitën e drejtorit të përfaqësueses së Kosovës në shtëpinë e basketbollit kosovar.
“Më ndihmon fakti kur kujtoj se Habib Ademi është drejtor i përfaqësueses. Për mua, ai është njëri prej basketbollistëve më të famshëm që ka pasur Kosova. Ai është serioz në punë, kur bëhet fjalë për përfaqësuesen, sepse i di mirë rrjedhat. Andaj, pres një ndihmë të madhe nga ai dhe do të kemi një bashkëpunim të ngushtë”, theksoi Krasniqi i cili shpreson që FBK-ja t’i organizojë sa më shumë ndeshje miqësore reprezentacionit.
Ai pohon se përqendrimi më i madh i tij si selektor do të jetë te basketbollistët kosovarë që aktualisht gjendet jashtë vendit, përkatësisht për t’i bindur ata që t’i veshin fanellat e reprezentacionit kosovar.
“Në këtë drejtim, Bordi i FBK-së duhet të punojë dhe lobojë shumë, e po ashtu edhe drejtori i përfaqësueses. Nuk do ta kemi lehtë që ata djem t’i bindim për t’u kthyer në ekipin kosovar, sepse janë zhvilluar në kushte tjera shumë më të mira dhe sigurisht që stimulohen nga shtetet tjera për të luajtur për to. Por, nëse angazhohemi maksimalisht në këtë drejtim, besoj se mund ta arrijmë qëllimin”, u shpreh Krasniqi.
Sipas tij, Kosova duhet të fillojë ta ndërtojë një përfaqësuese prej themeleve. Këto themele Krasniqi synon t’i ndërtojë me basketbollistë të gjeneratave të reja, sepse sipas tij, ekipi mund të kompozohet mirë deri atëherë kur FBK-ja të anëtarësohet në FIBA.
“Realisht, para dy viteve apo maksimalisht para katër viteve nuk do të mund të marrim pjesë nëpër eliminatore. Deri atëherë duhet të punojmë në atë drejtim që ta përgatitim sa më mirë që mundemi ekipin. Kemi lojtarë të gjeneratave të reja, që premtojnë për të ardhmen. Me ta duhet kombinuar edhe djelmoshat tjerë që aktualisht gjenden jashtë vendit, në mënyrë që deri në eliminatoret e ardhshme ta komponojmë sa më mirë ekipin”, tha ai.
Krahas postit të përzgjedhësit të përfaqësueses së Kosovës, Krasniqi konfirmoi se do të vazhdojë ta udhëheqë edhe Sigal Prishtinën.
“Puna me Sigal Prishtinën nuk do të më pengojë në aktivitetin tim me përfaqësuese, sepse aktivitetet e përfaqësueses me plan-programi tim duhet zbatuar gjatë verës, pasi të përfundojë kampionati”, përfundoi Krasniqi i cili konkurrent të vetëm për këtë post kishte Bujar Locin.
Ndeshjen e parë me përfaqësuesen e Kosovës Krasniqi do ta zhvillojë më 17 shkurt, në një turne që do ta organizojë FBK-ja për nder të Ditës së pavarësisë së Kosovës. Por, ende nuk dihet se cilat përfaqësuese apo klube të huaja do të marrin pjesë në këtë eveniment.
Juniku, përzgjedhëse e përfaqësueses së femrave
Përveç Arben Krasniqit, Bordi i FBK-së e ka emëruar edhe Resmije Junikun selektore të përfaqësueses së Kosovës në konkurrencën e femrave. Ndërsa, përzgjedhësit e grupmoshave tjera do të zgjidhen më vonë, pasi disa nga kandidatët e nominuar aktualisht janë anëtarë të Këshillit Profesional të FBK-së. Andaj, sipas rregullores, ata duhet të deklarohen se a janë të gatshëm apo jo për t’i lëshuar pozitat që i mbajnë aktualisht për ato të përfaqësueseve.