S’ndalet Flamurtari
Flamurtarit ka befasuar gjatë këtij afati kalimtar, pasi ka qenë skuadra më aktive në transferime krahasuar me ekipet e tjera të Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra kuq e zi deri më tani është përforcuar me tetë futbollistë - dukshëm më shumë se ekipet e tjera - derisa i ka mbajtur të gjithë lojtarët që i kishte në gjirin e saj gjatë stinorit vjeshtor.
Përforcimin e fundit Flamurtari e bëri të martën, kur nënshkroi kontratë për gjashtë muaj me tashmë ish lojtarin e Hysit, Bashkim Ahmetin. Lajmin e ka konfirmuar për Express drejtori ekzekutiv i klubit kryeqytetas, Agim Hasani, i cili është njëri prej më meritorëve që skuadra e tij bëri ‘bum’ me përforcime. Sipas Hasanit, Ahmeti do të jetë edhe përforcimi i fundit për ekipin e tij në këtë dimër.
Ndërkohë, para Ahmetit në stadiumin “Xhemajl Ibishi” kanë ardhur edhe këta futbollistë: Krenar Kosumi, Virtyt Hashani, Blerim Emini, Drilon Dragusha, Meriton Mehmeti, Driton Dedinca dhe Seid Rrahmani. Po ashtu, thuajse është e sigurt edhe rikthimi i Artan Gashit nga një lëndim serioz.
Në këtë mënyrë, kuqezinjtë befasuan për të mirë, sepse pak kush e ka pritur se Flamurtari do të investojnë në këtë mënyrë, kur dihet se këtë kampionat e pat nisur duke u ballafaquar me probleme shumë të mëdha financiare.
Por, me këto transfero, Flamurtari dëshmon se tani qëndron më mirë financiarisht. Kështu thotë edhe kryetrajneri i këtij ekipi, Jusuf Tortoshi. “Nuk qëndrojmë edhe aq mirë, por kur kemi parasysh se si kemi qenë dhe në çfarë gjendje janë ekipet tjera, atëherë nuk qëndrojmë keq”, deklaroi Tortoshi për Express.
Ai nuk e fshehu gëzimin për faktin që skuadra e tij tashmë është përforcuar me gjithë këta futbollistë. Tortoshi thotë se Flamurtari ka pasur nevojë të madhe për këto përforcime, derisa më së shumti e ka gëzuar ardhja e Ahmetit dha Hashanit, të cilët ai i cilëson si lojtarë më me përvojë.
“Fondin e futbollistëve e kemi pasur shumë të vogël dhe kemi pasur nevojë për këta futbollistë. Nga fillimi kam thënë se nëse duam të mbesim në Superligë, është e domosdoshme të përforcohemi”, u shpreh ai.
Andaj Tortoshi tani beson se skuadra e tij gjatë stinorit pranveror do të mund të sigurojë mbijetesën. “Nuk synojmë asgjë tjetër përveç se ta sigurojmë mbijetesën. Kjo është primare për ne. Ndërsa në garat e Kupës do të përpiqemi të shkojmë sa më lart që mundemi”, tha ai.
Tortoshi mbetet me shpresë që ekipi i tij t’i arrijë objektivat, duke paralajmëruar se në fillim të muajit që vjen skuadra e tij një fazë përgatitore do ta zhvillojë në Strugë të Maqedonisë.