E Shtunë, 31 Tetor 2026

Notat e maturantëve të fundit pritet të dalin nesër

Dy ditë kohë për plotësimin e formularit A2. Ministria: Vetëm 12 emra nuk janë bërë ende publikë

Ndonëse pjesa më e madhe e nxënësve janë tashmë në dijeni për notën me të cilën janë vlerësuar në provimet me zgjedhje, burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se kanë mbetur vetëm 12 emra pa u afishuar ende. Shkak për bllokimin e këtyre notave ka qenë ngatërrimi i barcode-ve të maturantëve. Gabim njerëzor apo teknik, e vërteta është se kjo rëndon mbi supet e maturantëve, të cilëve u janë ndërruar kodet me njëri-tjetrin. Kjo ka krijuar një problem edhe më të madh, pasi në database u regjistruan notat e maturantëve, por që fatkeqësisht nuk korrespondojnë me emrat përkatës.

Rezultatet përfundimtare të listës së fundit të testeve me zgjedhje pritet të publikohen nesër, në mënyrë që nxënësit të kenë në dispozicion të paktën dy ditë për plotësimin dhe dorëzimin e formularit të preferencave. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur që afati i fundit për dorëzimin e formularit A2, në drejtorinë arsimore, të bëhet më datë 6 gusht, ditën e premte. Dorëzimi i formularit duhet të ishte dorëzuar më datë 2 gusht, por duke marrë shkas nga avaria e krijuar fill pas mungesës së emrave në listat e afishuara më datë 16 korrik, MASH vendosi të shtynte afatin, për të mos penalizuar askënd. Më në fund maturantët e përjashtuar, duhet të gëzohen sepse para ditës së premte do të mësojnë notat me të cilat janë vlerësuar në testet e lëndëve që kishin përzgjedhur me dëshirën e tyre. Menjëherë pas publikimit të notave të mbetura enigmë, nxënësit do të kenë mundësi të bëjnë përllogaritjet e pikëve që kanë grumbulluar në total. Maturantët do të mund të mësojnë zyrtarisht se sa pikë kanë arritur të grumbullojnë pas katër provimeve të maturës shtetërore në fund të muajit gusht. Menjëherë pas kësaj, APRIAL do të ketë bërë një llogaritje të pesë notave të secilit kandidat, duke përfshirë këtu rezultatet e marra në provimin e letërsisë, matematikës, të dy testeve me zgjedhje, si dhe notën mesatare të shkollës së mesme. Vetëm nëpërmjet kësaj “formule”, nxënësit do të jenë më të qartë për të dalluar sesa pikë kanë mbledhur në total, pikë nëpërmjet të cilave ata synojnë të arrijnë të ndjekin studimet e larta në fakultetin e tyre të preferuar. Listat përfundimtare e fituesve në fakultete të ndryshme pritet të afishohen brenda muajit shtator.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›