Trafiku i klandestinëve, zbulohet faqja në internet
Një faqe interneti e dedikuar për të realizuar trafikim klandestinësh nga Shqipëria, Kosova dhe deri në Sri Lanka, është zbuluar dje nga policia londineze dhe ajo franceze.
“Në bashkëpunim me policinë britanike, ne kemi arritur të zbulojmë një rrjet trafiku të qenieve njerëzore që funksiononte përmes një faqeje interneti, e cila online bënte porosi për të kaluar në territorin e Mbretërisë së Bashkuar, shtetas shqiptarë kryesisht nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, si dhe klandestinë nga Sri Lanka”, konfirmoi zyrtarisht për mediat policia franceze. Kurse Ministria e Emigracionit të Francës, duke folur dje mbi zbulimin në internet, tha se 18 persona, të përfshirë në rrjetin online të trafikut të klandestinëve, u arrestuan gjatë orëve të para të së hënës në territorin e Francës. Po ashtu, edhe tetë persona të tjerë u arrestuan po dje në Britaninë e Madhe, në Londër. “Në kuadrin e operacionit të njëkohshëm britaniko-francez, u arrit të zbulohej faqja e internetit që menaxhohej tërësisht nga shtetas shqiptarë, kryesisht djem në moshë të re, studentë informatike”, deklaroi Ministria franceze e Emigracionit, duke mos publikuar adresën e faqes së internetit që gjithsesi e ka çaktivizuar. Nga hetimi doli se trafikantët i sillnin në Angli klandestinët përmes porteve Kalai dhe Dungeri.
#