E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, dhjetëra të infektuar nga uji dhe rëra e ndotur

Mjekët: burimi i infeksioneve në lëkurë për shkak të mjedisit të papastër

Frekuentimi i vijës bregdetare të Fierit ka bërë që në dhjetëra pushues të shfaqen infeksionet e lëkurës. Këto të fundit kryesisht kanë prekur pushuesit e plazhit të Semanit dhe të Darëzezës. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga mjekët e poliklinikës qendrore Fier, ku tre javët e fundit një numër I madh pacientësh janë paraqitur me infeksion në lëkurë. Mjekët që po trajtojnë pushuesit e prekur nga infeksionet në lëkurë thonë se situata është më e përmirësuar se ajo e një viti më parë, por sërish shihet prania në përmasa alarmante e infeksioneve si shkak I ndotjes së ujit dhe rërës së detit. “Pushimet e verës kanë sjellë edhe probleme të shumta me infeksionet e lëkurës. Infeksioni tek dhjetëra pushues lidhet me ekzistencën e hidrokarbureve kryesisht gjatë bregdetit të Fierit. Ndotja si në ujë edhe në brezin e rërës është disa vjeçare. Përveç hidrokarbureve edhe mbetjet urbane kanë shkaktuar ndotje të bregdetit të Fierit”, shpjegojnë për gazetën “Shqip” mjekët infeksionit. Sipas tyre në vijën bregdetare të Fierit gjen edhe mbetjet ushqimore të viteve të shkuara, që janë harruar të hiqen si nga pushuesit edhe nga autoritetet vendore që kanë nën administrim plazhet. Përveç mjekëve edhe mjaft pacientë kanë treguar se I janë drejtuar mjekëve specialistë për të marrë ndihmë mjekësore për shkak të plagëve që u kanë dalë pas frekuentimit të plazheve. Më të predispozuar ndaj infeksioneve në lëkurë kanë qënë moshat e vogla, fëmijë. “Më kishin thënë se uji është I ndotur. Shkova, por më gënjeu uji nga pamja, pasi nuk dalloje ndotje të lartë. Vetëm kur pashë djalin të mbushur me plagë atëherë e besova ndotje. Si plagët e djalit më kanë dalë edhe mua e vajzës”, ka thënë Lumja, nëna e një fëmijë të prekur nga infeksionet në lëkurë. Edhe pacientë të tjerë që kanë pritur në radhë për të marrë ndihmën mjekësore tek mjekia infeksionit në poliklinikën e Fierit, pohojnë të njëjtin fakt. Ndërsa është folur prej autoriteteve vendore dhe qendrore për mirëmbajtje të bregdetit të Fierit dhe janë bërë përpjekje për të rehabilituar mbetjet hidrokarbure të shtresëzuara ndër vite sjellin përherë probleme për lëkurën e pushuesve që preferojnë të mos largohen jashtë vijës bregdetare të Fierit. Edhe vitet e shkuara ka patur numër të madh pushuesish që janë prekur nga infeksionet në lëkurë, infeksione që I kanë marrë nga frekuentimi I plazheve të Fierit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›