Spitali pa ilaçe, rrezikohet kriza deri në fund të vitit
Aktualisht, në qendrën më të madhe spitalore të vendit, ka mungesa barnash. Këto ilaçe janë të shtrenjta për t’u blerë privatisht, por nga ana tjetër kërkojnë edhe kohë për të realizuar procedurat e furnizimeve të mëdha. Nisur nga anulimi i tenderëve një muaj më parë, ku sipas Autoritetit të Prokurimit Publik, ndodhën për shkaqe teknike, pasi nuk kishte konkurrencë, si dhe nga pakësimi i buxhetit për shëndetësinë, të paktën edhe për 45 ditë, spitali “Nënë Tereza” do të jetë i detyruar të bëjë zgjedhje alternative për të siguruar mungesat. Një tjetër vendim, që pritet të mbërrijë këto ditë zyrtarisht në qendrat spitalore në të gjithë vendin, është edhe ai për pezullimin e procedurave tenderiale.
Për shkak të vonesave, problemeve me pakësimin e buxhetit por edhe problemeve teknike, pacientët rrezikojnë krizën e barnave jo vetëm për verën dhe vjeshtën, por deri në fund të 2010-s, deri në hyrje të vitit të ri, kur do të fillojë edhe zbatimi i buxhetit të ri. Prindër të cilët kanë të shtruar fëmijët në pediatrinë e specialiteteve, pacientë të cilët trajtohen nga hepatitet, por edhe të sëmurë të onkologjikut, po i blejnë privatisht ilaçet, po kryejnë kombinime kurash me ilaçet që ndodhen në farmacinë e spitalit, por ka nga ata që janë edhe në pritje të furnizimit të ri.
ReagimetQendra spitalore universitare “Nënë Tereza” si dhe Ministria e Shëndetësisë kanë sqaruar se pakësimet në sektorin e shëndetësisë, ndryshe nga sektorët e tjerë, kanë impakt të ndjeshëm në objektivat e Dikasterit të Shëndetësisë.
“Janë anuluar disa tenderë për shkak të paraqitjes së një firme dhe jo disa, kemi disa mungesa, do t’i plotësojmë të gjitha ato, duke rinisur nga e para procedurat e tenderëve. Procedurat do të hapen nga e para, për disa barna, nga ana tjetër shkurtimi i buxhetit më shumë do të prekë investimet sesa barnat”, sqaroi zyrtarisht qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”.
“Kemi dërguar zyrtarisht listën e pakësimeve në Ministrinë e Financave. Në financimin e brendshëm, pakësimet janë rreth 2.8 miliardë lekë. Jemi të detyruar të ndërpresim të gjitha procedurat e prokurimeve që nuk ishin financuar me lidhjen e kontratës, përfshirë këtu edhe gjithë Fondin e Zhvillimit Rajonal”, ka sqaruar Ministria e Shëndetësisë.
Kërkesa për përshpejtimShpeshherë pacientët dhe të sëmurët që kanë nevojë për kujdes spitalor, apo ndodhen në situata emergjente nuk mund të presin përmbushjen e afateve deri në furnizimin me barna. Ajo që mjekët theksojnë dhe propozojnë është ndryshimi i Ligjit të Prokurimeve për ilaçet dhe materialet mjekësore. Ndryshimi, sipas tyre, duhet të konsistojë në shkurtimin e afateve. Kjo, do të bënte të mundur realizimin e tenderëve në një kohë më të shkurtër në mënyrë që të gjitha barnat të jenë prezentë në pavijone në të njëjtën kohë. Një shembull konkret është se, pas lidhjes së kontratës, ligji parashikon që firma fituese të sjellë furnizimin e ilaçeve për 15 deri në 45 ditë. “Duke qenë se shëndetësia është një sektor që ka emergjenca të herëpashershme është kërkuar që të ndryshohen afatet për tenderimin dhe lidhjen e kontratave me grosistët. Ndryshimi i këtij ligji do të bënte të mundur plotësimin e nevojave në një kohë më të shpejtë”, sqaron zyrtarisht qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”, nisur nga kërkesat e vazhdueshme dhe sugjerimet e punonjësve të shëndetësisë.
#