E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk do të lejojmë kurrsesi zbatimin e ligjit

Sekretari i Dhomës së Avokatisë, Virgjil Karaj, kundërshton ndryshimet në ligj të bëra nga ministri Alibeaj

TIRANË- Miratimi dy ditë më parë i ligjit “Për Profesionin e Avokatisë në Republikën e Shqipërisë” ka ngjallur reagimin e asaj shtrese për të cilin ligji është hartuar. Ndryshimet e bëra në ligj duket se kanë cenuar interesat e Dhomës së Avokatëve, çka ka sjellë menjëherë reagimin e tyre. Virgjil Karaj, sekretari i Dhomës, ka deklaruar dje për “Shekullin” se ndryshimet e miratuara në ligj janë hartuar pa pëlqimin e palës së interesit. “Ne kemi marrë pjesë vetë në ato amendamente që janë diskutuar fillimisht por kemi parë që asnjë prej tyre nuk ka gjetur vend në draftin përfundimtar të miratuar nga Këshilli i Ministrave dy ditë më parë”,- tha dje për “Shekullin” sekretari i Dhomës së Avokatisë. Nga ajo sa thotë Karaj, neni më i kundërshtueshëm është ai që flet për liberalizimin e çmimit të marrjes së licencës së avokatit. Karaji thotë se së shpejti do të mblidhet asambleja e avokatëve ku do të diskutohen të gjitha ndryshimet e bëra dhe më pas do të bëhen të qarta kontestimet e këtij ligji. “Unë nuk mund të shprehem aktualisht mbi qëndrimin që do të mbajë Dhoma e Avokatisë pambledhur së pari asamblenë e përbërë nga avokatët më të mirë të vendit. Ajo që është e sigurt është fakti që në kurrsesi nuk mund të lejojmë zbatimin e këtij ligji i cili cenon funksionim e institucionit të avokatit”,-tha dje Virgjil Karaj. Ndërsa në një letër drejtuar ministrit Alibeaj, kryetari i dhomës së Avokatisë ka kërkuar shpjegimeve për arsyet e ndryshimeve të ligj. “Jemi të detyruar t’ju bëjmë me dije se të gjitha këto ndryshime në draftin e përgatitur nga ana Juaj të udhëhiqen dhe të bazohen në kërkesat e nenit 1, të ligjit nr.9109, datë 17.7.2003, ‘Për profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë’ në të cilin parashikohet se: ‘Avokatia në Republikën e Shqipërisë është profesion i lire, i pavarur, i vetërregulluar dhe i vetëdrejtuar”,- thuhet në letër. Përfaqësuesit e Dhomës së Avokatisë nuk janë të vetmit që kanë kritikuar ligjin e miratuar për “Profesionin e avokatit” Ekspertët e misionit EURALIUS kanë sugjeruar rishikimin e draftit. Nga vlerësimet paraprake nenin 8, i cili përmban ndryshimet e nenit 39 të ligjit paraardhës, miratuar në 2003 ka hasur kundërshtimin e ashpër të palës së interesit. Në këtë nen parashikohet ngritja e Komisionit të Verifikimit të Ankesave menjëherë pas dorëzimit të ankesave ndaj një avokati të caktuar. Sipas avokatëve, krijimi i KVA-së rast pas rasti mund të krijojë probleme praktike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›