E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria pohon dështimin

Shqipëria vazhdon të mbetet vend origjine i trafikimit të të miturve, ndërsa kategoritë e fëmijëve më të ekspozuar ndaj këtij fenomeni janë ballkano-egjiptianët dhe romët

TIRANË - Trafiku i fëmijëve vazhdon të mbetet një plagë e hapur në trupin e shoqërisë shqiptare. Autoritetet përkatëse janë treguar të paaftë për të verifikuar viktimat e trafikimit dhe për të mbrojtur ato. Ky ka qenë përfundimi i raportit të koalicionit “Bashkë kundër trafikimit të fëmijëve”, i cili u prezantua dje gjatë një konference kombëtare. Ky raport nënvizon mospërputhjen midis shifrave të viktimave të deklaruara nga policia dhe ato të deklaruara nga shoqëria civile, si dhe vë në dukje dështimin e qeverisë në mbrojtjen e këtyre viktimave. Në konferencë ishin të pranishëm ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Uidhërs dhe kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit pohoi gjatë fjalimit të tij, se realiteti i trafikimit të fëmijëve në Shqipëri shkon përtej shifrave të deklaruara. “Numri i lartë i fëmijëve të trafikuar është një dorë e shtrirë, një gisht i drejtuar ndaj qeverisë”, u shpreh Berisha. Përfaqësuesit e BKTF-së i kërkuan kryeministrit që të merrte masa për sigurimin e elementeve bazë për mbrojtjen e fëmijëve, të cilët janë siguria, shërbimi shëndetësor, fizik dhe psikologjik, ndihma ligjore, mirëqenia sociale dhe edukimi. Sipas raportit, kanë qenë grupet e ndryshme jofitimprurëse, ata që kanë ofruar asistencë për fëmijët që kanë qenë viktima të trafikut, që janë në rrezik trafikimi dhe për fëmijët e ekspozuar ndaj trafikimit. Sidoqoftë, këto përpjekje sporadike janë të pamjaftueshme në krahasim me nevojat e vendit. Duke iu referuar raportit, rrugët e paligjshme të trafikimit njerëzor janë: Shqipëri - ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë - Greqi, me synim vendet e tjera të Evropës Perëndimore: Shqipëri-Mal i Zi – Serbi - Slloveni - Itali, Shqipëri - Kosovë - Kroaci - Slloveni, si destinacion përfundimtar vende të tjera të Evropës Perëndimore: Shqipëri - Greqi - Itali. Nga të dhënat e raportit, trafikimi ndërkombëtar shoqërohet nga trafikimi i brendshëm, ku të dhënat e viteve të mëparshme, duke u referuar që nga viti 2003, tregojnë se një e treta e të trafikuarve në të vërtetë janë të ritrafikuar. Sipas BKTF-së, tendencat e trafikimit që nga viti 2003 nuk kanë rënë. Por, sidoqoftë, për shkak të mungesës së të dhënave të grumbulluara e të përpunuara dhe informacionit të detajuar mbi numrin e fëmijëve të trafikuar, viktimave të supozuara të trafikimit dhe fëmijëve në rrezik të lartë trafikimi, është e vështirë të flasësh për numra që përfaqësojnë të gjithë vendin. Arsyet kryesore të trafikimit të fëmijëve janë pasurimi i industrisë së seksit komercial, kërkesa për organe, si dhe kërkesa për adoptime. Fëmijët deklarojnë se trafikantët u ofrojnë vëmendje, argëtim, të mira materiale, punësim, mundësi emigrimi, martesë, shkollim (ose mundësinë për ta lënë shkollën), miqësi, komplimente dhe përkujdesje. Trafikimi i fëmijëve bëhet gjithashtu për t’i përdorur ata për lypje, prostitucion, vjedhje dhe krime të tjera rruge apo për qëllime më klandestine, si adoptimi i parregullt apo shitja e organeve. Femrat trafikohen më shumë për seks komercial, ndërsa meshkujt për punë, lypje apo krime të vogla.

Romët, më të ekspozuar ndaj trafikut

Preja më e lehtë për trafikantët janë fëmijët ballkano-egjiptianë dhe në veçanti fëmijët romë, të cilët shënjestrohen për shfrytëzim seksual, lypje dhe adoptim. Sipas një studimi të UNDP-së, rreth 64 për qind e romëve dhe 24 për qind e ballkano-egjiptianëve të moshës 7 deri në 20 vjeç janë analfabetë, fenomen ky që ndikon drejtpërdrejt në krijimin e lehtësirave për trafikimin e këtyre të fundit. Sipas raportit, më të pëlqyerit janë fëmijët e moshës mbi 7 vjeç, të cilëve trafikantët mund t’u afrohen dhe t’i joshin, apo në rastin e të afërmve, të shfrytëzohen drejtpërsëdrejti. Ka plot raste fëmijësh 0 deri 6 vjeç, të cilët shfrytëzohen nga prindërit, të afërmit dhe persona të tjerë, qoftë jashtë apo brenda vendit. Në raste të tjera, fëmijët blihen ose merren me qira tek prindërit e tyre, madje ka raste kur prindërit kërcënohen ose kur fëmijët grabiten. Madje është vënë re që rekrutueset kanë qenë shpeshherë gra, të cilat kanë qenë vetë viktima të trafikimit. Përveç dhunës dhe frikës, mjete të tjera të përhapura për lehtësimin e trafikimit dhe mbrojtjen e biznesit janë presioni psikologjik ndaj viktimave, korrupsioni e marrëveshjet e fshehta me përfaqësuesit e institucioneve. Në rastin e Shqipërisë janë edhe prindërit ose të afërmit e tjerë, të cilët i trafikojnë fëmijët e tyre për arsye fitimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›