E Shtunë, 31 Tetor 2026

Notis Sfakianakis: I mbështes neonazistët e “Agimit të Artë”

ATHINE - Këngëtari i njohur grek, Notis Sfakianakis, i njohur edhe për publikun shqiptar me këngën e tij “Soma mou”, apo të tjera krijime, është shprehur dje hapur në favor të partisë neonaziste dhe raciste, “Agimi i Artë”.

I ftuar në një emision televiziv, ndër të tjera këngëtari tha: “Hyrja e partisë ‘Agimi i Artë’ në parlament, është vendim i një pjese të popullit dhe ky vendim duhet të jetë i respektueshëm. Unë nuk kam asnjë problem, se dikush do të bëjë diçka dhe se në Greqi, kështu siç po shkojnë punët, shumë shpejt grekët do të bëhen minoritarë”. Këngëtari madje u përpoq të justifikojë veprimet e deputetëve neonazistë në Rafina dhe Messolonghi, ku produktet e shitësve të huaj u shkatërruan dhe u hodhën në tokë. “‘Agimi i Artë’ nuk rrahu askënd. Shkatërroi tregun e atyre që nuk kanë asnjë leje për të shitur dhe produktet mund t’ua jepni
familjeve të varfra. Shumë mirë”, - u shpreh Sfakianakis. Duke iu referuar liderit të opozitës, Aleksis Tsipras, i njohur për qëndrimin e tij pro të huajve, Sfakianakis tha: “Aleksis Tsipras nuk më thotë asgjë si fytyrë. Unë pajtohem me disa qëndrime të tij, ndërsa me disa të tjera nuk jam dakord”. Lidhur me mbrojtjen e emigrantëve të paligjshëm nga SYRIZA, Notis thjesht tha: “Nuk kanë turp të majtët?”.

Sfakianakis është i dyti artist grek pas këngëtarit Petros Gaitanos, i cili deklaroi gjithashtu në TV se i pëlqen sjellja e “Agimit të Artë”, madje tha se shumë herë do të donte të bënte, atë që bëjnë anëtarët e asaj partie. Ai foli për zhgënjimin e tij në lidhje me faktin se CD-të e muzikës shiten në rrugë nga emigrantët afrikanë dhe policia nuk bën asgjë. “E dini sa herë më vjen t’ua thyej në kokë CD-në zezakëve që e shesin”?, - u shpreh këngëtari. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›