E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet, qeveria do të marrë kredi në bankat shqiptare

Ministri i Ekonomisë ka pohuar se për shkak të krizës globale ka dështuar ideja për të hyrë në tregun e eurobonove

TIRANË- Situata e paqartë ekonomike që po kalojnë tregjet financiare botërore ka detyruar Ministrinë e Financave të kthejë sytë për financime nga bankat që operojnë në tregun vendas. Megjithësë ishte parashikuar që në vitin 2009, Shqipëria të bëhej pjesë e tregut evropian të bonove, Ministri i Financave deklaroi gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2009 në konferencën e kryetarëve se kjo nuk do të ndodhë edhe këtë vit. Sipas tij, “kriza financiare botërore ka krijuar një situatë të papërshtatshme për të blerë eurobono me afat të gjatë, pasi interesat për momentin janë shumë të larta”. Ministri Bode shtoi se planifikimi për të blerë eurobono me afat 15 deri 20-vjeçar, kundrejt një vlere prej 300 milionë eurove, do të shtyhet deri sa të qartësohet situata në tregjet financiare ndërkombëtare, pasi futja në treg në këtë moment do të shkaktonte kosto tepër të larta. Në një situatë të tillë, qeveria pritet të kërkojë financime nga bankat që janë pjesë e tregut vendas, të cilat, sipas ministrit, ofrojnë financime me interesa më të ulëta në krahasim me tregjet evropiane. Në fakt, ulja e financimeve nga bankat ndërkombëtare si pasojë e krizës, ishte paralajmëruar edhe gjatë një konference ekonomike të zhvilluar para pak ditësh në Tiranë. Sipas bankierëve, stuhia që po kalojnë bankat botërore do t’i bëjë ato që ta kenë të pamundur mbulimin me fonde të investimeve të qeverisë shqiptare. Kështu që, e vetmja derë ku ekzekutivi mund të “trokasë” mbeten bankat që operojnë në Shqipëri.

Të ardhurat e buxhetit për vitin 2009 parashikohet të jetë në shifrat e 333 miliardë lekëve, ndërsa shpenzimet llogariten 383 miliardë. Në këto kushte, deficiti buxhetor, arrin në 50 miliardë lekë. Kjo është edhe arsyeja që e kanë shtyrë qeverinë të kërkojë financime alternative për të përmbushur investimet e parashikuara në buxhet.

Në fjalën e tij, ministri Bode, theksoi se, "projektbuxheti i shtetit për vitin 2009 merr në konsideratë zhvillimet dhe ecurinë e ekonomisë shqiptarë në vitet e fundit, por dhe ato në tregun e jashtëm në kuadrin e disa ndryshimeve që ka pasur ekonomia botërore për shkak të krizës së sistemit financiar". Situata e ndërlikuar ekonomike në botë, e cila vështirëson së tepërmi gjetjen e fondeve dhe zhvillimi i zgjedhjeve elektorale vitin e ardhshëm, janë shkaqet që e kanë detyruar qeverinë, që investimet për 2009-ën t’i ulë me 60 milionë dollarë në krahasim me vitin e kaluar. Në projektbuxhet është parashikuar një nivel investimi në masën e 940 milionë dollarëve, ku 400 milionë dollarë do të sigurohen direkt nga arka e shtetit dhe diferenca do të merret hua nga donatorët ose bankat tregtare. Shumica e bankave që operojnë në tregun shqiptar janë pjesë edhe e tregut ndërkombëtar, ku është duke u përjetuar një stres i madh financiar. Kjo situatë mund t’i bëjë ato të mendohen dy herë në lidhje me financimet e kërkuara nga qeveria, duke rrezikuar përmbylljen e investimeve të parashikuara nga ajo. Sipas ministrit Bode, vlen për t’u theksuarse në kalendarin e investimeve publike për vitin 2009, u mundësua pakësimi i numrit të projekteve, duke mos lejuar copëzimin e investimeve dhe fondeve në projekte të vogla. Numri i tyre për vitin 2009 parashikohet të zbresë nën 1 mijë. “Ulja e numrit të projekteve ka rritur efiçencën e investimeve”, - shtoi Bode.

Investimet në rrugë do të vazhdojnë të thithin pjesën më të madhe të buxhetit, ku njësoj si në dy vitet e kaluara, vetëm rruga Rrëshen-Kalimash do të marrë “pjesën e luanit” të buxhetit për investimet publike. Buxheti për këto investime, gjatë vitit të ardhshëm, parashikohet të jetë 350 milionë dollarë. Krahas rrugës Durrës-Morinë, prioritet në këtë sektor do të kenë edhe autostradat, Bllatë-Bulqizë, Korçë-Qafë Ploç dhe rruga Vlorë-Sarandë. Përsa i përket rritjes ekonomike, parashikohet që ajo të arrijë mbi 6 %, e cila sipas kreut të financave, është e qëndrueshme dhe më e larta në rajon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›