Lohan: Të hetohet Gërdeci, politika të mos ndërhyjë
TIRANË- Zbardhja e tragjedisë së Gërdecit mbetet një shqetësim edhe për partnerët ndërkombëtar që asistojnë nga afër vendin tonë në sfidën e tij integruese. Gjatë publikimit të progres-raportit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë për vitin 2008, ambasadori i Komisionit Evropian në vendin tonë, Helmut Lohan në një komunikim me mediat ka evidentuar si një tregues thelbësor për standardin e demokracisë në vendin tonë, nxjerrjen e së vërtetës që fshihet pas shpërthimit të ndodhur gati 8 muaj më parë vetëm disa kilometra larg kryeqytetit, ku humbën jetën 26 persona dhe ku u shkatërruan mijëra prona. Duke u përqendruar tek rezultatet e luftës kundër korrupsionit, diplomati evropian ka theksuar se kjo tragjedi mbetet një gurë prove për vullnetin që ka Shqipëria për forcimin e shtetit të së drejtës. “Në raport në terma fare të qarta thuhet se një hetim i plotë i çështjes së Gërdecit është i nevojshëm. Është tepër e rëndësishme që këto të përfundohen dhe sipas atyre hetimeve që do të bëhen do të shikohet pastaj se çfarë do vendosin gjykatat”, - tha Lohan duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me këtë çështje. Për të pasur një hetim të suksesshëm për këtë çështje, ai ka theksuar se është e nevojshme që organi i akuzës të lihet të bëjë punën e vet dhe politika të mos ndërhyjë në këtë proces, duke lënë të kuptohet qartë një gjë e tillë deri më tani ka qenë evidente. “Nuk mendoj se është mirë për çfarë do lloj hetimi, pra nuk mendoj se ndihmon nëqoftëse ka ndërhyrje politike. Pra ndërhyrjet politike nuk ndihmojnë në hetimet. KE thotë se hetimi i Gërdecit duhet të shtyhet më tej, pra të përfundojë. Kjo do të thotë që forcat hetuese të bëjnë punën e tyre, por edhe të gjithë ata të tjerë të mos ndërhyjnë në punën e tyre, pra të hetuesve”, - tha Lohan. Ndërkohë ai është ndalur dhe në një sërë çështjesh të tjera që janë bërë objekt i debateve të forta mes forcave politike në vendin tonë, siç është rasti i reformës së shumëpërfolur në organet e sistemit të drejtësisë, reforma zgjedhore, apo liberalizimi i vizave. Në lidhje me reformën në drejtësi, Lohan ka vlerësuar se për të pasur rezultate pozitive në këtë drejtim duhet me patjetër që qeveria përpara se të miratojë draftet e përgatitura duhet të diskutojë dhe të marrë parasysh qëndrimet e grupeve të interesit apo faktorëve të tjerë politike. “KE ka shprehur gjithmonë në aspektin pozitiv se duhet të ketë konsultim sa më të gjerë dhe të plotë të të gjithë aktorëve dhe palëve të interesuara, qoftë në momentin që hartohen ligjet, qoftë në momentin që debatohen këto ligje në parlament”, - tha Lohan. Ndërsa përsa i përket reformës zgjedhore ai edhe një herë ashtu si ambasadori i OSBE-së disa ditë më parë i ka thënë jo pretendimeve të LSI-së për këtë reformë, duke vlerësuar si të rëndësishëm vetëm faktin se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të bëhen në Kuvend dhe jo jashtë tij. “Është e rëndësishme që këto zgjedhje të përgatiten dhe të zhvillohen në mënyrë të tillë që të shmangen pastaj kontestimet në fund të tyre. Përgatitjet dhe finalizimi edhe i kodit duhet të ndodhë në parlament dhe jo jashtë parlamentit”, - tha Lohan. Ndërkohë i pyetur në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, zyrtari i lartë europian nuk ka hequr dorë nga sjellja e tij diplomatike, kur është shprehur se kurorëzimi i këtij procesi në vitin 2009 varet nga Shqipëria dhe realizimi i reformave prej saj.
Ambasadori i Komisionit Europian i dorëzoi raportet Presidentit Topi, kryeministrit Berisha dhe Topallit
Lohan-Topit: Të përmirësohet pavarësia e institucioneve
TIRANË- Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan i ka dorëzuar një kopje të progres-raportit edhe Presidentit te Republikës, Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha dhe Kryetares se Kuvendit, Jozefina Topalli. Në takimin e zhvilluar me Presidentin Topi, krahas arritjeve, Ambasadori i Komisionit Europian parashtroi edheproblemet që ka Shqipëria lidhur me nevojën për një rritje të bashkëpunimit ndër-institucional, ruajtja dhe përmirësimi i pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe shtetërore si dhe përfundimi me sukses i reformave të ndërmarra dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë takimit, Topi u shpreh se vlerësimet për punën e Presidentit të Republikës në Raportin e Komisionit Europian do të shërbejnë për të nxitur më tej angazhimin dhe përkushtimin për ruajtjen e ekuilibrave politikë dhe pavarësisë së institucioneve. Njëkohësisht Presidenti Topi siguroi përfaqësuesin e Komisionit Europian për vendosmërinë e Shqipërisë, jo vetëm për të përmbushur detyrimet dhe arritur standardet e integrimit në familjen e madhe europiane, por edhe për të vazhduar në rrugën e reformave. Ndërsa në takimin me kryeministrin Sali Berisha, Lohan ka theksuar faktin se ka pasur ecuri sa i përket konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, dhe kjo në sajë të konsensusit partiak, por problemi i korrupsionit mbetet ende një problem për vendin.