E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nr. 2 i Gardës: Nuk dha askush urdhër për të qëlluar me 21 Janar

Tiranë- Ngjarjet e dhunshme te 21 janarit kanë vënë sot në bankën e dëshmitarëve numrin 2 të Gardës së Republikës, Alfred Ahmetcenaj, i cili ka dëshmuar se Garda nuk ka marrë urdhër nga askush për të qëlluar.

Ahmetcenaj ka dëshmuar për plot një orë e 30 minuta se as ai , as ndonjë nga zinxhiri komandues i Gardës nuk ka dhënë urdhër për të qëlluar më 21 Janar, por efektivët sipas tij kanë qëlluar me armë për shkak të itensistetit të lartë të sulmit që demonstruesit ushtronin ndaj forcave të policisë dhe gardës.

Ai deklaroi se sulmi arriti kulmin kur një makinë tip Benx, çau portën kryesore dhe demonstruesit hynë në rrethimin e kryeministrisë. Numri dy i Gardës së Republikës ka mohuar të ketë patur dijeni për ndonjë të lënduar gjatë katër orëve të sulmit.

Për gjatë gjithë dëshmisë së tij, ai mbrojti veten dhe efektivët e Gardës, teksa theksonte se përgjatë 21 Janarit është vepruar konform ligjit dhe janë ruajtur objektet e sigurisë së vecantë, në këtë rast kryeministria.

Më herët dëshmoi Haiz Çeço , përgjegjës armatimi në Gardë, i cili sqaroi procedurën e marrjes dhe dorëzimit të armëve nga efektivët e Gardës që kanë qenë në detyre më 21 Janar.

Në seancën e sotme ka dëshmuar gjithashtu Dashamir Shehi, Mark Nikolli dhe Gazmend Ahmetaj, efektivë të grupit të zjarrit, mbi të cilët fillimisht rëndoi akuza për vrasjet për tu pushuar më pas.

Matilda Alku/ IDEA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›