Halimi: Të marrë fund zvarritja e gjyqeve
Tiranë-Zvaritja e proceseve gjyqësore për shkak të avokatëve, duhet të marrë fund. Askush nuk mund të nënvlerësojë rolin e gjykatës, të nëpërkëmbë drejtësinë, gjykatën, ligjin. Askush nuk duhet të sillet në kundërshtim me procedurën e parashikuar me ligj për një proces të rregullt’.
Me këto fjalë iu drejtua sot panelit Mbi përmirësimin e ligjit për profesionin e avokatit, ministri i Drejtësisë Eduart Halimi i cili duke e vlerësuar avokatinë si një aktor pothuajse në qendër të sistemit tha se të tilla praktika duhet të marrin fund.
Duke vlerësuar punën e avokatëve në këtë 20-vjeçar zoti Halimi pranoi se avokatia ka probleme, ‘tek të cilat jo rrallëherë vëmendja e publikut, e medias por absolutisht dhe vëmendja e Qeverisë është fokusuar shpesh. Halimi tha se ne nuk duhet të lejojmë, që publiku dhe ndërkombëtarët ta identifikojnë këtë çështje si problem tipik i Shqipërisë dhe as të përshkruhet si difekt i shtetit ligjor në Raportet e Progresit të Shqipërisë, që pengon integrimin europian.
Taktikat me vizion të shkurtër që i shërbejnë një interesi të izoluar në një çështjeje për të përfituar thjesht zvarritjen e gjykimit nuk duhen përkrahur dhe toleruar sepse dëmtojnë të gjithë sistemin në tërësi dhe humbasin besimin publik-tha Halimi.
Sipas Halimit MD-ja është vënë në dijeni për vonesat e papranueshme gjyqësore duke shtuar se më shqetësuese situata paraqitet në Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
‘Duhet të marrë fund, jo vetëm për shkak se është një praktikë në kundërshtim me ligjin, por mbi të gjitha sepse është një praktikë që dekurajon avokatët e ndershëm dhe profesionistë, si dhe dëmton në mënyrë të pakthyeshme interesat e qytetarëve shqiptarë, duke cënuar parimet themelore të një shteti ligjor- tha Halimi.
Ministri Halimi tha se institucioni që ai drejton ka një vullnet të hekurt, për të ecur më tej me këtë reformë, për ta realizuar atë në kohë të shpejtë dhe për ndalur abuzimin e mëtejshëm me funksionin nga avokatët.
Në tryezë morën pjesë edhe Ambasadori Sequi, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Canon, drejtuesi i Dhomës së Avokatisë, Haxhia si dhe drejtuesi i Projektit EURALIUS, Urias.
/IDEA/