Kuvendi shtyn projektligjin e SHISH
BLEDAR HOTI
Komisioni Parlamentar i Sigurisë shtyn shqyrtimin e amendimeve të ligjit për Shërbimin Informativ. Burime pranë këtij komisioni bëjnë të ditur se shtyrja e mbledhjes bëhet për shkak se jo të gjithë deputetët e maxhorancës nuk ndodhen në Shqipëri. Në axhendën e punimeve parlamentare është parashikuar pikërisht që sot në ora 10:00, Komisioni i Sigurisë Kombëtare të shqyrtonte projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998 "Për Shërbimin Informativ të Shtetit", i ndryshuar". Ndërsa një tjetër arsye e shtyrjes mësohet të jetë edhe bojkoti i deputetëve të opozitës në komisionet parlamentare. Socialistët, përveç Komisionit të Ligjeve nuk po përfaqësohen në asnjë strukturë tjetër parlamentare. PS është fokusuar vetëm në çështjen e hetimit të zgjedhjeve ku ka paraqitur ndryshimet e ligjit të hetimit, me qëllim hapjen e kutive të votimit. Në asnjë komision tjetër opozita nuk pranon të marrë pjesë për të shqyrtuar projektligjet e Qeverisë, pasi është në pritje të seancës së 18 marsit, ku do të votohen dy nismat e PS-së për hetimin e zgjedhjeve. Po në këtë seancë është parashikuar dhe votimi për ligjin e SHISH, por mos shqyrtimi i draftit nga ana e Sigurisë mund të shkaktojë shtyrjen për në seancën e votimit. Tërheqja e maxhorancës duket se lidhet edhe me faktin se tre ditë më parë pati një reagim të fortë nga ana e ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers, iu cili kontestonte variantin e miratuar nga Komisioni i Ligjeve për Shërbimin Informativ Shtetëror. "është me rëndësi jetike që Shërbimi Informativ i Shqipërisë të mbetet profesional, i pavarur dhe i lirë nga të gjitha ndërhyrjet politike. Jemi të shqetësuar që projektligji i minon këto parime. Si rrjedhojë, ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit, Shërbimit Informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese. Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj ndërkombëtar. Ne druhemi se ky projektligj, në formën e tij aktuale, po e dëmton këtë imazh", deklaroi në konferencën për shtyp Uidhers. Diplomati amerikan theksoi që "nxisim me forcë që ekspertë ligjorë ndërkombëtarë të lejohen të kryejnë një rishikim të gjithanshëm të projektligjit, përpara se Parlamenti të ndërmarrë ndonjë veprim të mëtejshëm. është e domosdoshme që çfarëdo projektligji i tillë të përmbushë standardet ndërkombëtare, në përputhje me detyrimet euro-atlantike të Shqipërisë". Uidhers nuk ka dhënë kontestime konkrete dje, por sipas tij SHBA e ka treguar se ku qëndrojnë shqetësimet kryesore."çfarëdo Shërbimi Informativ, duhet të mbetet profesional. Nuk duhet të politizohet. Duhet të ruajë pavarësinë si institucion. E kemi parë projektligjin e rishikuar. Vazhdojmë ta quajmë të papranueshëm në pikëpamjet që sapo përmenda. Nuk dua të hyj në shumë hollësi specifike këtu. E marrim vërtet shumë seriozisht, sepse Shqipëria është një anëtare e re e NATO-s dhe ka aspirata për integrim të plotë euro-atlantik. Ndjejmë se ky projektligj e çon Shqipërinë në drejtimin e gabuar. Si miq, si miq të ngushtë të Shqipërisë, ne duam të ofrojmë këshillat tona për t'u siguruar që mikja jonë Shqipëria nuk do të vazhdojë në atë drejtim të gabuar", tha zyrtari amerikan.