Nuk dorëzohet

Përkundër faktit se pushoi më shumë se dy vjet dhe u detyrua që ta anulonte meçin e 26 shkurtit ndaj amerikanit Johnathon Banks, Luan Krasniqi nuk e ka ndërmend të dorëzohet.
Boksieri kosovar është treguar mjaft i pafat, pasi që kjo është hera e tretë që i dështon rikthimi. Ai është sëmurë (infektim në sinus), në fazën përgatitore dhe meçi është anuluar.
Mirëpo, 39-vjeçari ndihet ende në formë dhe planifikon që të punojë fort, për t’iu kthyer ringut. “Natyrisht, boksi është sport i vështirë dhe të shkakton dhimbje, pasi që nuk është sikur tenisi. Por, nuk e kam ndërmend të dorëzohem. Unë ndihem si 30 vjeç”, deklaroi boksieri nga Juniku për magazinën gjermane, Bild.
Natyrisht, me anulimin e këtij meçi, Krasniqi ka humbur edhe në aspektin ekonomik, por ai këmbëngul se kjo nuk çon shumë peshë. “Paraja nuk është shumë e rëndësishme për mua”, vazhdoi ai.
Mbështetësi i tij, Volker Grill, i ka thënë për televizionin RTL se kjo sëmundje është një hap prapa për Krasniqin. “Momentalisht, Luani është i dobët sikur një flutur. Jemi të shokuar të gjithë. Një luftë në gjendjen e tij tani, nuk është për t’u menduar”, tha Grill.
Krasniqi është jashtëzakonisht i dëshpëruar me këtë fat që e përcolli. “Unë jam thellësisht i dëshpëruar. Nuk po mund të besoj. Më vjen shumë keq për fansat e mi, por një duel në vikendin e ardhshëm nuk është i mundur të realizohet. Shpresoj që dueli do të zhvillohet pak më vonë”, ka deklaruar Krasniqi për mediat gjermane.
Banks shpreson që meçi të zhvillohet më vonë
Johnathon Banks planifikonte të fluturonte drejt Gjermanisë, por ai e ka anuluar këtë fluturim pasi e mori lajmin se meçi nuk do të zhvillohej. Mirëpo, boksieri amerikan shpreson që ky meç me boksierin kosovar të zhvillohet në një datë tjetër.
“Unë e prisja me padurim këtë meç në Gjermani, si eveniment kryesor në televizionin gjerman RTL. Shpresoj që meçi të zhvillohet më vonë”, tha Banks.
Rreth anulimit të meçit ka folur edhe promotori i Banks, Tom Loeffler. “Ishte një mundësi e mirë për Johnathon që t’i shfaqte aftësitë e tij në një gala të madhe ndaj veteranit të boksit siç është Luan Krasniqi. Fansat e boksit mezi prisnin që ta shikonin këtë meç në Gjermani”, theksoi Loeffler.
I tërë programi i paraparë i natës së 26 shkurtit në Ludwigsburg të Gjermanisë është anuluar. Ky meç vlerësohej si shumë i rëndësishëm për të dy boksierët, pasi thuhej se fituesit e këtij dueli do t’i hapej rruga për të luftuar për titullin e kampionit botëror.
39-vjeçari nga Juniku synonte që ta mposhtte amerikanin dhe më pas të luftonte për titullin e kampionit botëror me njërin nga vëllezërit Klitschko. Në këtë mënyrë, Luani synonte ta realizonte ëndrrën e tij të kahershme dhe më pas ta përmbyllte karrierën.
Luani ishte në fazën përfundimtare të përgatitjeve për meçin ndaj Banksit. Ai ndihej jashtëzakonisht në formë të mirë dhe ishte i bindur se do ta mposhtte amerikanin.
Fat i njëjtë Krasniqin e pati përcjellë edhe para dy vitesh, kur meçi i tij ndaj Alexander Dimitrenkos ishte anuluar. Shkak i atij anulimi ishte një lëndim që e kishte pësuar Luani gjatë stërvitjeve për duelin ndaj Dimitrenkos.
Edhe pse nuk e ka ndërmend të dorëzohet, kjo sëmundje do t’i kushtojë shtrenjtë Krasniqit, i cili tash duhet t’ia fillojë nga zeroja dhe meçin e ardhshëm do të mund të zhvillonte vetëm pas disa muajsh, kur do të përgatitej maksimalisht.