“Nuk duam të dëmtojmë Kombëtaren shqiptare”
• Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka thënë se po projekton një takim me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, ku në qendër të bisedimeve do të jetë edhe çështja e Kombëtares shqiptare, në të cilën bëjnë pjesë gjashtë futbollistë nga trojet e Kosovës.Jetmir Halilaj Kreu i institucionit kosovar të futbollit ka thënë se ai dhe stafi i tij do të tregohen tepër të matur në këtë pikë, pasi nuk duan që të bëhen shkaktarë për dobësimin e përfaqësueses shqiptare, apo nxitës të një konflikti të mundshëm mes FFK-së dhe FSHF-së. “Së pari, falënderoj presidentin Duka për mesazhin e urimit që më kishte dërguar dhe shpresoj që të kem një bashkëpunim sa më të frytshëm me të, u shpreh Vokrri për “Panorama”. Po projektojmë një takim sa më të shpejtë me të dhe shpresojmë që kjo të realizohet. Duam që FSHF të na mbështesë maksimalisht në objektivat tona për anëtarësimin e FFK-së në UEFA e FIFA dhe kemi bindjen se kjo gjë do të realizohet”. Kombëtarja shqiptareVokrri ka thënë se do të respektojë vullnetin e lojtarëve dhe se nuk do të ndërhyjë në vendimet që do të marrin futbollistët nga trojet e Kosovës, të cilët aktualisht luajnë me përfaqësuesen shqiptare. “A do të më vinte keq nëse ata do të zgjidhnin përfundimisht Shqipërinë? Sigurisht që po. Do të isha hipokrit nëse them të kundërtën, pasi dihet që ata janë futbollistë të shkëlqyer dhe çdokush do të donte t’i kishte në skuadrën e tij të zemrës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se FFK apo zyrtarët e saj do të ndikojnë në zgjedhjen që ata do të bëjnë. Ne do të respektojmë vullnetin e tyre dhe kurrsesi nuk do të ushtrojmë asnjë lloj presioni. Nuk duam që të dëmtojmë Shqipërinë, duke tentuar t’i bindim lojtarët nga Kosova që të largohen. Ne do të jemi asnjanës dhe do të lëmë gjithçka në dorën e tyre. Për këtë çështje kam ndërmend të bisedoj edhe me presidentin e FSHF-së Duka, i cili deri tani na ka ndihmuar gjithnjë në arenën ndërkombëtare. Nuk duam të krijojmë konflikte, sepse tani më shumë se kurrë na duhen marrëdhënie sa më të mira dhe mbështetje reciproke”.