E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e policisë, femra tek Antitrafiqet

• TIRANE - Emërohen në polici 76 studentë të brezit të fundit të Akademisë së Policisë.Një ceremoni zyrtare e zhvilluar dje u ka dhënë zyrtarisht këtyre studentëve të drejtën për të qenë efektivë të strukturave të Policisë së Shtetit. Studentët e sapoemëruar, i përkasin brezit të oficerëve që kanë mbaruar studimet gjatë viteve akademike 2004-2005, si dhe 2005-2006. Këta të fundit kishin mbetur pa emëruar për shkak të hyrjes në zbatim të strukturës së re arsimore në radhët e Policisë së Shtetit. Në ceremoni ishin të pranishëm krerët më të lartë të Ministrisë së Brendshme si dhe të Policisë së Shtetit. Urdhrat e emërimeve u janë dorëzuar studentëve nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. “Prezenca juaj sot këtu, është dëshmia më e mirë e zbatimit me seriozitet të ligjit të ri të Policisë së Shtetit. Kjo pasi asnjë prej jush nuk merr detyrën për shkak të rekomandimeve të politikës”, tha ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë përshëndetjes së tij për efektivat e rinj të policisë. Drejtori i policisë Ahmet Prençi, tha se “emërimi i studentëve të rinj është bërë në struktura të rëndësishme të Policisë së Shtetit. Të gjitha vajzat janë emëruar tek sektori i trafiqeve të paligjshme në mënyrë që të kemi një frymë të re në mënyrën e trajtimit të viktimave të trafikut”, vijoi Prençi. Ditën e nesërme të sapoemëruarit, pritet të nisin praktikisht punën e tyre në terren.      d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›