E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrahu gruan, gjykata izolon bashkëshortin

• TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi të izolonte për një muaj 35-vjeçarin K. Deda nga fshati Mullet, nga bashkëshortja e tij A.Deda, sipas kërkesës së saj për lëshim të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.Para gjyqtares së çështjes, gruaja 33-vjeçare pohoi se bashkëshorti e keqtrajtonte sistematikisht, ndërsa para pak ditësh ai kishte ushtruar sërish dhunë ndaj saj. Pasi dëgjoi pretendimet e tyre, gjykata vendosi dje të urdhëronte burrin që për një muaj të mos komunikonte me bashkëshorten, të mos ushtronte dhunë ndaj saj dhe të jetonte në gjysmën e banesës së tyre, ndërkohë në gjysmën tjetër do jetonte gruaja, e cila gjithashtu do të zbatonte të njëjtat masa si burri. Pas 30 ditësh të dy bashkëshortët do paraqiten sërish në gjykatë, ndërsa punëtori i policisë i komunës do dorëzojë në gjykatë një raport për ecurinë e zbatimit të vendimit të gjykatës. Ndërkohë, në vendimin e djeshëm gjykata u shpreh se gjatë kësaj kohe të dy bashkëshortët duhet të raportojnë tek inspektori i policisë çdo incident që mund të kenë midis tyre.                f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›