Vetëm Barcelona prek kualifikimin
• Talenti argjentinas Lionel Mesi shënoi dy gola duke ndihmuar Barcelonën të mundte Seltikun 3-2 në ndeshjen e parë të vlefshme për turin e 1/16 të Ligës së Kampioneve në stadiumin “Parkhead” të mërkurën.Seltiku, që kaloi dy herë në avantazh, shënoi në fillim me anë të Jan Vennegoor of Hesselink (16’). Barcelona barazoi dy minuta më vonë me Mesin. Berri Robson fiksoi shifrat në 2-1 për Seltikun para intervalit, ndërsa Thieri Henri barazoi në 2-2 shtatë minuta pas fillimit të pjesës së dytë. Mesi fiksoi rezultatin në 3-2 pikërisht 11 minuta para përfundimit. Arsenal dhe kampionia në fuqi e Evropës, Milani barazuan me rezultatin 0-0 në takimin e luajtur në “Emirates Stadium”. Mançester Junajted pati nevojë për një gol të vonshëm të Karlos Tevezit që të siguronte një barazim 1-1 me Olimpikun e Lionit në transfertë. Sulmuesi Karim Benzema kishte kaluar i pari në avantazh kampionët e Francës. Sulmuesi i futur si zëvendësues i Fenerbahçe, Semih Senturk shënoi një gol me peshë, duke dhënë fitoren 3-2 skuadrës së tij ndaj Seviljas në “Sukru Saracoglu”.