Nuk e pamë anjëherë
Eqrem BASHA
Kishte net që ishim pa gjumë. Me ne rrinin i madh e i vogël dhe të gjithë përpiqeshin të na jepnin zemër, madje dhe një dorë, ose të na lehtësonin disi, duke na dëshmuar thjesht se nuk ishim vetëm. Sado që ishim përpjekur t'i largonim fëmijët nga aksionet tona, ishte e pamundur të bënim një hap, pa u përzier nëpër këmbë dikush prej tyre. S'ishte se na pengonin, por druanim për ta, duke e ditur se me ç'egërsira kishim punë.
Bardhi ishte më i vogli. Me flokë të verdhë në të përhimët, gati metalikë, i imtë sa të humbej ndër duar, i urtë e i padiktueshëm, ai ishte gjithkund dhe s'vërehej, ashtu siç do të duhej të ishim shumica prej nesh në rrethanat që vepronim. Pikërisht në situatat më të vështira, kur ushtonin mitralozat dhe gjithçka mbështillej me pluhur, tym e barot, ai paraqitej si një providencë, hyzri, një profet i imtë dhe hapte shaminë e vogël me ndihmesat e mëdha: fasha, jod, pluhur, ose edhe fletë qepësh:
- Vëreni në hundë dhe s'do t'ju djegin sytë nga lotsjellësi, - na thoshte ai, si një njohës i mirë i këtyre punëve.
Pastaj zhdukej, nuk e shihnim për një kohë dhe paraqitej sërish me bohçen me bukë, konserva, marmelatë, shishe me ujë, që një Zot e di nga i gjente dhe prej nga i sillte.
Një vit më parë, ia kishin vrarë mësuesin teksa përpiqej të mbronte shkollën para vërshimit të policëve dhe ai, edhe pse i vogël, nxënës i klasës së tretë, e ndjente se e kishte për detyrë të vepronte me ne. Shtyhej e luftonte, futej me zor në mesin tonë, edhe me arrogancë kur e refuzonim, por s'fliste. Vetëm përgjonte e vepronte. Në kokë të vet, por kurrë jashtë rregullave. Të gjitha mashtrimet ishin të pafrytshme. Bardhin e kishim detyruar me udhëzime top sekret që të shkonte të flinte te filani, t’i shërbente çështjes në kuzhinën e filanit, por ai gjithnjë i diktonte dredhitë dhe kthehej pa gjumë apo pa ngrënë në strofkën tonë, duke lajmëruar praninë e vet që nga dera:
- Do ta gdhijmë sonte? - Dhe shtyhej në mes, për të zënë vend te tryeza, rreth së cilës bisedonim se si të vepronim të nesërmen.
Ishte protesta për shkolla dhe ne llogaritnim të vinim në veprim një vijë të qetë, për të mos e ngritur tensionin e rrezikshëm të fëmijëve, të cilët ende nuk e dinin se me ç'dënime përgatiteshin t'i ndëshkonin xhelatët e tyre. Disa ditë më parë, policia kishte rrethuar një shkollë fillore në fshatin Uçë, diku nga perëndimi dhe kishte vrarë dy prindër, që kishin pritur në oborr fëmijët e tyre. Edhe pse ekspedita ishte nisur me qëllimet më të errëta, të mësuar nga metodat e njohura, të parët e kishin pësuar prindërit atë, që ndoshta ishte taksur për të njomët e tyre.
Një natë vonë, Bardhin e kishte zënë gjumi dhe ne u tmerruam me një shaka pa kripë që bëri njëri nga shokët tanë. Ai, pa e ditur se sa i brishtë dhe sa i ndjeshëm ishte gjumi i tij, i bërtiti te veshi:
- Policia!
Bardhi u dridh dhe brofi më këmbë. Pastaj ia krisi vajit, jo se ishte trembur, por pse e kishte lagur karrigen ku ishte mbështetur. Nuk e duronte këtë poshtërim të burrërisë së tij të vogël, ndaj me këtë i dha fund shoqërimit me ne.
- Gdhijeni vetë, - tha në të ikur, sikur të krijonte përshtypjen se na la kopilin në derë, duke mos diktuar se gjysma e më tepër e atyre, që kishin vendosur ta gdhinin, ishte në gjumë.
Të nesërmen, si dy ditë më parë, kishte dalë i pari para shkollës së tij dhe ishte vendosur me kërcënim para policit pesëfish më të madh se ai, që i shiheshin vetëm sytë nën helmetë. I leckosur e i zbathur, me bohçen e ndihmesave të tij të vogla në njërën dorë, ai i rrinte përballë egërsirës dhe frynte kraharorin.
Pastaj e humbëm dhe nuk e pamë më.
Pasuan ditë të ashpra dhe aksione të dhunshme Askujt nuk i shkonte mendja tek ai. Ndoshta, pa dashur, ndonjëri e ngjallte kujtimin për të, kur i dukej i nevojshëm: “Ah, sikur të kishim Bardhin e të na sillte cigare!” Por kjo s’ishte e domosdoshme, se gjithmonë gjendej një tjetër që e hapte pakon.
Atëherë kur një valë e furtunës pushoi dhe pritej tjetra, teksa shëronim plagët dhe numëronim viktimat, një nga tanët tregoi se në morgun e qytetit kishin identifikuar një kufomë të imtë, sa një foshnje... E varrosëm dy ditë më pas, bashkë me një turmë fëmijësh nga jetimorja, ku kishte qenë i strehuar.
29 Qershor 2009