Çdo ideal që i nënshkruhet mirësisë
Në poezi, kjo ka shumë mundësi të ndodhë për faktin se në përgjithësi aty nuk banon më njeri. Në një epokë, kur poezia e re shqipe ia arriti gradualisht të shpopullohet me sukses nga kolonët e buzëqeshur të masivizimit socialist, rrezik se prej poezisë, përkrah me anëtarët e fundit lirikë të mitingut, paradës, kolektivit, brigadës, po emigron edhe çdo njeri tjetër bashkë me poetin. Simptoma e poezisë së sotme shqipe më duket se është dorëzimi në pavetore, në një lloj vetëbërjeje ku gjuha jonë gjithnjë e më shumë europiane se indiane, po mëton të jetë personazh e kështu zë vendin e poetit, mu ashtu si në galeritë e artit kamera e ndjeshme dixhitale ka zënë vendin e piktorit. Por në fakt, ai që na duhet më shumë se poezia është poeti, poeti, ai robi i Zotit, ai marsupiali që na mbart në vete kur kërcen drejt qiellit. A është ndonjë faj të dëshirosh të hidhesh në erë përqafuar me poetin? A është ndonjë faj që dëshiron të qash pak fare në prehrin e tij?
Ervin HATIBI
Një nga efektet më të shpejta të afrimit fizik me Kosovën pas viteve ’90, ishte zbulimi i përkëmbimeve midis ‘q’-së dhe ‘ç’-së. Një kronikan, para do kohe, komentonte me humor në shtyp një foto që e kish bërë me dorën e vet. Në foto paraqitej një lokal me tabelën “Qajtore”. Do të kisha dashur që tabela të kishte qenë e vërtetë dhe humori të kursehej për ndonjë dyqan tjetër, po sigurisht bëhej fjalë thjesht për një çajhane dhe asgjë më tepër.
1.
Mendova: kaq shumë arsye për të qarë dhe kaq pak infrastrukturë për ta bërë këtë punë. E vetmja fjalë, që dua të them edhe për letërsinë e gjithë këtyre viteve, është se edhe aty nuk na qahet fare. Në poezi, kjo ka shumë mundësi të ndodhë për faktin se në përgjithësi aty nuk banon më njeri. Në një epokë kur poezia e re shqipe ia arriti gradualisht të shpopullohet me sukses nga kolonët e buzëqeshur të masivizimit socialist, rrezik se prej poezisë, përkrah me anëtarët e fundit lirikë të mitingut, paradës, kolektivit, brigadës, po emigron edhe çdo njeri tjetër bashkë me poetin. Simptoma e poezisë së sotme shqipe më duket se është dorëzimi në pavetore, në një lloj vetëbërjeje ku gjuha jonë gjithnjë e më shumë europiane se indiane, po mëton të jetë personazh e kështu zë vendin e poetit, mu ashtu si në galeritë e artit kamera e ndjeshme dixhitale ka zënë vendin e piktorit. Por në fakt, ai që na duhet më shumë se poezia është poeti, poeti, ai robi i Zotit, ai marsupiali që na mbart në vete kur kërcen drejt qiellit. A është ndonjë faj të dëshirosh të hidhesh në erë përqafuar me poetin? A është ndonjë faj që dëshiron të qash pak fare në prehrin e tij?
2.
Poshtë vijojnë nja dy ilustrime të asaj se ç’mundet të bëjë njeriu në bashkëpunim me poezinë dhe me lotët.
“Qau dhe e puthi, pastaj e lëshoi”: kështu përfundonte vjersha dhe këtu ndalonte zëri i mamit dhe mu këtu, me pikën fundore të vargut, ia nisën piklat e para të ca lotëve të tjerë nga ata të deri asaj kohe.
Këta ishin lotët e mi të parë që nuk kishin të bënin me ndonjë hall, me ndonjë dhembkë a mungesë lektisëse frutash, lodrash apo stinësh. Këta lot m’i shkaktoi ekspozeja e qartë dhe e thjeshtë e një zogu të vogël dhe krejt të përgjithshëm, të përbërë nga vetëm tre shkronja. (“Një zog të bukur zuri një djalë/ ai po dridhej dhe i thosh ca fjal녔). Zogu në fjalë i kujtoi djalit se edhe ai ishte i mitur e, po ashtu, edhe ai e kishte një mëmë që e priste në shtëpi. (“Nuk të vjen keq që jam i mitur, si ti i vogël e i parritur? Jam bir i vetëm, mëma më pret…”)
Sot nuk e di nëse do kisha qarë po ashtu, nëse zogun do ta kishin bërë rilindësit të fliste gegënisht. E qara ime u kushtëzua kështu edhe përmes abetares së gjithë komunikimeve të tjera të rëndësishme të kohës, që fillonin me buzët e folësit të radiotelevizionit (Përshëndetje, xhaxhi Dhimitër!) e deri te Kadri Roshi i filmave, rahmet pastë, dhe te gjithë oraliteti zyrtar i cili kishte hapur në veshët e mi analfabetë monopatin e gjuhës së lartë, me retorikën dhe gramatikën e duhur dhe ky monopat këmbëngulte e përparonte drejt guvës së lotëve, asaj pranë zemrës (jo gjëndrës). Puna erdhi deri te çukitja iniciale-finale me sqep, dhe ja tek u shpua shtegu e lotët sipërorë rrodhën dhe vazhdojnë periodikisht të rrjedhin gjer më sot e kësaj dite.
3.
Zbulimi i mirësisë dhe i çdo ideali tjetër që i nënshkruhet, ka shumë mundësi të fillojë me mëshirën apo me rahmetin, si i thoshin kësaj edhe në trevat tona gjatë kohës së obskurantizmit oriental osman (O.O.O.), para se të nacionalizoheshin ndjenjat dhe fjalët. Rahmeti e ka rrënjën e vet nga fjala arabishte rahim, që do të thotë mitër.
Deri vonë, gjuhëtarët e kanë prekur fjalën rahëm të pulsojë në zonën e Shkodrës, në vendin ku normalisht sot kemi mitër. Nëse fjala e sotme shqip nuk e ka origjinën dukshëm nga burimi latin, le të themi se ashtu si rahmeti, që e paraqet mëshirën gati si simetri të empatisë, duke e vënë të mëshiruarin në formë fetusi përbrenda teje, ashtu pra le të më pëlqejë tingullimi kaq pranë mishit i fjalës mëshirë.
Unë besoj se, kur je i vogël, mëshira mpikset e formohet pikërisht mbi gjallesa të vogla, të tilla që mund t’i përmbanim brenda, si zogjtë, macet, këlyshët e qenit e të tjera si këto.
Hapja e prehrit për sa më shumë subjekte të mëshiruara, e bën njeriun detyrimisht përherë e më të madh, po aq sa të brendashkruarit gjallesa vetes kapërcen sa më shumë kategori dhe numra. Por kjo gati përherë mbetet çështje e fantazisë: duhet të mëshirosh kryesisht zogj, që nuk ke për t’i kapur kurrë apo zogj që i kanë kapur të tjerët.
Kurse në rastin e vjershës së mësipërme, misioni i poetit përfundonte me lëshimin e zogut dhe vetëm mund të hamendësohet se si ky shpend ka më shumë se 100 vjet që del nga kuvlia si zogu mekanik i orës me qyqe dhe hynte brenda sa e sa kalamajve të shqipes dhe u çelte vendin për mëshirën.
Gjithë ai mallëngjim, gjithë ajo mëshirë ngazëlluese, gati të shtynte të ngrije ndonjë çark për zogj, pra ta instaloje mitrën në formë çarku si e si ta kapje zogun dhe të shkriheshe nga kënaqësia duke e lëshuar sërish, duke ia qetësuar në duar sustat e frikës nën puplat dhe duke i thënë se gjithë qëllimi i kësaj zënieje ishte shprehja e dashurisë: aty në qiell e degë më degë, as ai e as ti nuk do të mundnit kurrë të provonit asgjë të tillë dhe do të vdisnit të vetëharruar në anonimat, si gjithë qeniet që nuk kanë dashuruar ndonjëherë në jetë. (Arroganca e të shtënit në dikë amperë dashurie, kaq e pafajshme…)
4.
… Shumë vite pas qarjes së parë për zogun vjershëtor, ndodhi që u shkreha sërish, edhe më keq, në lot të pafrenueshëm aty mbi një shpinore të lyrshme të një autobusi, që vinte nga Saranda për në Tiranë.
Diku në të hyrë të Labërisë, kishin zënë pusi nja tre burra dhe, fill pasi bënë vend me poterë në fund të autobusit, ia morën këngës me iso.
Kanë kaluar 12 vjet, por ato vargje të projektuara mbi një ekran të kalldrëmtë eeeee-sh isoje më rreshtohen ende mirë në kujtesë: “S’të qëllova për të vrarë/ moj kunadhja gushëbardhë/ të qëllova për të marrë/ moj kunadhja gushëbardh녔. (Nuk e di a është me interes të riprodhoj edhe nja dy vargje të tjera nga po ai autobus. “O florir’ i vogël fare/ pse s’dole mbrëmë në valle/ s’dola se s’kisha sandale…”). Edhe sot nuk e di se si më kapi e më shkuli e qara, dhe thjesht kisha ulur kokën e dridhesha si qen, duke luajtur rolin e atij që e ka zënë makina.
Edhe këtë herë, mu si në rastin me zog, poeti (e para) e bën të dashurën e vet të vogël si kunadhe, që të mundet ta mbajë përbrenda si fëmijën, dhe (e dyta) prapë si në aspiratën për ta kapur e për ta futur brenda mëshirës zogun, edhe poeti lab sqaron me lot në sy mbi gëzofin e përgjakur se i vetmi qëllim i gjithë kësaj dhune ishte “marrja”, bërja për vete, futja në vete e kunadhes gushëbardhë.
Po si t’ia shpjegosh asaj tani?!..
29 Qershor 2009