E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti me sy të kuq



Alban BALA

Ngjyrat e natës ishin ftohur ngadalë nën peshën e vesës së imët, që rrëshqiti nga qielli më shpesh se zakonisht. Përtej, nëpër qelqet e largëta të qytetit, përkapej vetëm amshtia e pajetë e erës, që shtynte shkarthëm rremat e bardhë të dritëhënës, duke lëngëzuar figurtha ikanake. Ishte prag dimri. Nëntor. “Një mot i kotë, që veç sa shton një rrudhë në fytyrën e pakuptim të provincës.” Këtë e thoshte shpesh kolegu i tij, profesori i letërsisë në institutin demek universitar, ku punonte. “E keni parë? Sidomos pasi bie muzgu.”
Fytyrat në provincë zhbëhen në muzg, humbin tretshëm tiparet, ndërsa heshtja u rëndon mbi mishra si një lëkurë e trashë dhe e vrarë. Derisa i shemb. Si shtëpi ku nuk jeton dot njeriu.
Kur qytete të tilla dergjen buzë ujërash, tiparet e njerëzve i rrëmben ujana. I mbledh në shtjella të errëta dhe i sjell mbrapsht vetëm në mëngjes, kur dielli përvesh një dorë rrezesh përtace mbi tjegulla, duke kërcitur thyeshëm nën lëvoret e pemëve.
Ky visor ishte jeta e tij. Nuk mbante mend gjëra më lojnacake, të cilave t’u gëzohej. Nuk kishin ndodhur. Të paktën, jo për të. Epoka e tij ishte një natë e gjatë me këmbët e zhytura në llohun e trashë të bregujit, duke pritur peshkun.
Gjithkujt i thoshte se peshkimin e kishte hobby. Një pasion të fshehtë e të lazdruar vetmueshëm në kërkim të vetes. Tani koha e tij ndahej mes shkollës ku punonte dhe bregut të kësaj ujane lumore. Thuajse çdo ditënatë. Në pragmbrëmje nisej me biçikletë drejt vendit të tij, me kallamat e ndehur lart që dridheshin në ajër si antena nervoze, sipas muzikës së gropave të rrugës. Ai ecte shpejt, pa përshëndetur njeri, për në cakun e tij ku e priste vetmia.
Në fakt, peshkonte për të mbetur gjallë. Familja me tre fëmijë dhe një grua pa punë, ishte një barrë shumë e rëndë për rrogën e tij të vogël. Peshkonte për bukën e gojës, krejt i pagojë. I lodhur, shpesh me kallama në dorë, e kaplonte gjumi. Zgjohej prej të ftohtit e kthehej në shtëpi, duke lënë pas gjithnjë në bregun e lumit kallama dhe njerëz të tjerë të ndehur mbi rrjedha. “Hallexhinj”, psherëtinte turbull, ndërsa ikte nëpër natë të flinte. Por thellë në zemër i kishte lakmi.
Në fillim, e shoqja ishte shpupurisur përse netët e tij jashtë ishin aq të gjata. Ai e kishte qetësuar, duke thënë se tashmë aq shumë njerëz bënin si ai. Më vonë zbuloi se gjysmës së qytetit nuk ia dinte shtëpinë, por i njihte ata nga vendi ku peshkonin.
E acaronte ideja që njerëzit në breg ishin së tepërmi. Këtë muaj tri herë kishte ndërruar qëndrim. Tani shtoji i tij ishte një bregore me baltë, edhe pse këpucët i fusnin ujë dhe reumatizmi i këndonte një iso të dhimbshme në palcë. Sytë i bëheshin ujem, duke pritur që kallami i tij të lëkundej fatlumshëm nën peshën e një peshku të madh. Por kjo ndodhte rrallë.
I ri, njëzet e pesë vjeçar, nuk e kishte kuptuar asnjëherë se përse sytë e banorëve në atë qytet ishin tejet të kuq. “Ngjajnë si sy peshqish”, e kishte përmbyllur atëherë me bindjen e shkollarit të ri të biologjisë, pa përthithur dot një arsye të pranueshme sesi kafshëzat e një mjedisi i kushtëzojnë tiparet njëra-tjetrës. Por netët e gjata në bregujin e hidhur ia kishin dhënë shpjegimin. Edhe sytë e tij tani ishin të kuq.
Kolegët e tij po ashtu peshkonin. Ua njihte siluetat që ua tundte era, ose gjumi. Atyre u thoshte se atij i pëlqente peshkimi, ajo lojë inteligjence mes njeriut e natyrës, dueli i hekurt mes frikës dhe urisë që mvesh grepin e ndehur nën ujëra, ku lazdron dëshpërueshëm një mizë a një krimb. Ditën në klasë ai kapte miza, që i mblidhte fshehur në një kuti cigaresh, të cilën e mbante kudo me vete. Këtë ia kishte mësuar një profesor i gjimnazit, i cili ishte mbytur tragjikisht tre muaj më parë. Thanë se grepi i kishte ngecur në një baltovinë me shkurre dhe ai hyri ta nxirrte. I gjetën vetëm këpucët dhe kallamin. Edhe një shportë me dy peshq shumë të vegjël. Por trupin nuk ia nxorën kurrë.
Prej asaj dite, në ëndrrat e tij hyri frika. Shpesh e më shpesh zgjohej i tmerruar, duke tërhequr me mundim, në vend të peshkut, trupin e lodhur e të prishur të profesorit plak, nga gjoksi i të cilit dilnin fluturim një grusht miza. Në gojë ndiente shijen e metalit të mprehtë dhe ngrihej i përmbytur nga djersët, ndërsa veshët i oshëtinin: “Bregu i lumit e di të vërtetën... Bregu i lumit e di... Edhe në të gjallë, njeriu është preja e një kallami të ndehur prej dikujt tjetër mbi të, të paktën një breg më lart.” Tani ai e thotë këtë përditë, pa zë, pa vajtim. Vetëm kockat i qajnë në trup prej reumatizmës dhe këpucëve të vjetra, ndërsa rihedh tojat. Dimri do të jetë edhe më i vështirë, gjëmon kujtesa.
Kur qielli çahet në shira, gjumi i tij mbushet me makthe. Janë dhimbjet që tkurren shuejtshëm në rënkime. Sheh ëndërr sikur në gojën e tij ka hyrë një grep. Ka ngecur. Një grep i madh që varet jashtë një dore, të cilën ai s’e sheh. Gruaja bri tij zgjohet. Ia ngul sytë e kuq dhe hesht. Gati qan. Atij i duhet ta prehë. Ia përkëdhel kokën. I tregon ëndrrën e tij dhe me të qeshur shton se ka zbuluar – hahahaha, sapo e ka zbuluar – se edhe këpucët e atij që u hedh grepin njerëzve më të vegjël, atyre si ai – fusin ujë. Po, po. Fusin ujë. Si të gjitha këpucët... Hahahah... Gruaja vë buzën në gaz. E tërheq afër vetes dhe ia ngroh këmbët e akullitura. Ia freskon ballin e djersitur. Ndërgjegja e njëkohëshme e viktimës dhe vrasësit shtrihet bri tyre në të njëjtin shtrat dhe kaq mjafton për të mbijetuar. Moralisht. Kallamat e peshkimit janë krahët e tij. Me to mund ta përqafojë botën, të ndihet i vlefshëm. Çdo natë.
Fëmijët e tij nuk e pëlqejnë peshkun. Ata madje, as nuk e dinë se përse e hanë atë aq shpesh. Në këtë qytet njerëzit janë aq krenarë e të heshtur, sa ç’duhet “për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet”, pranon ai heshturazi, ndërsa gjumi e kaplon mbi nënkresë. Jashtë thuajse ka zbardhur. Qelqet e qytetit regëtijnë agullimën, ndërsa era shtyn shkarthëm rremat e brishtë të dritës, duke shprishur frymën e avullt të natës. Është prag dimri. Nëntor.

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›