Shkoder, 4 tone ndihma ushqimore ne fshatin Obot
SHKODER- Reshjet dhe era që përfshinë rajonin e Shkodrës nga mesnata e kaluar kanë pushuar sot paradite, duke ndikuar dhe në stabilizimin e qarkullimit të mjeteve lundruese drejt fshatrave të përmbytur në qarkun e Shkodrës, në veri të vendit. Në fshatin Obot, një nga fshatrat më të dëmtuar nga përmbytja, situata paraqitet e stabilizuar sot paradite. Në orët e para të mëngjesit reshjet e shiut, të shoqëruara me erë shirokë, krijuan valëzime në këtë zonë të përmbytur duke vështirësuar qarkullimin e gomoneve dhe mjeteve të tjera lundruese të vëna në dispozicion të evakuimit të banorëve. Evakuimi i banorëve të përmbytur të fshatit Obot po kryhet përmes një operacioni të mirëorganizuar të forcave të ushtrisë dhe policies, nga ura e Sagjicës, që në pjesën e saj të djathtë mbretërohet nga ujërat e Drinit dhe të Bunës. “Vala e ujit ka rënë tashmë”, ka deklaruar për ATSH- në kryekomisar Ridvan Bushati, duke shtuar se do të vazhdojë normalisht evakuimi i banorëve. Ai konfirmoi se 4 tonë e gjysmë ndihma ushqimore janë nisur drejt fshatin Pemtar në ndihmë të banorëve të këtyre zonave. Pesë varka shpëtimi, me një kapacitet rreth 20 vende, janë vënë prej ditësh në dipozicion të banorëve, të cilët po evakuohen në ambientet e ofruara në qytetin e Shkodrës dhe në rrethinat e tij, si në hotel Turizimi, në repartin ushtarak të Renxit, por edhe tek të afërmit e tyre. Nga informacionet zyrtare mësohet se në Obot janë të rrezikuara të paktën 130 banesa. Në grup i KESH-it inspektoi një ditë më parë të gjitha linjat elektrike dhe kabinat, në mënyrë që të parandalojë çdo rrezik. Sipas të gjitha informacioneve të marra, në fshatin Obot nuk ka pasur ndërpreje të energjisë elektrike.