E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk është e largët dita, kur Shqipëria do të qëndrojë përgjithmonë përkrah Amerikës si anëtare e NATO-s”

Ambasadori Withers, vlerëson lart trupat ushtarake shqiptare, për përfundimin me sukses të misionit dhe shprehet i sigurt për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

TIRANE - Ushtria shqiptare merr vlerësimet maksimale nga qeveria amerikane, për mbylljen me sukses të misioni paqeruajtës në Irak, me synim vendosjen e lirisë dhe paqes në vendin e largët, të shtypur për dekada me radhë nga dhuna dhe terrori.
Duke përshëndetur në ceremoninë e organizuar posaçërisht për përfundimin e misionit ushtarak shqiptar në Irak, ambasadori amerikan në Shqipëri, John Withers mbajti një fjalë përshëndetëse ku vlerësoi në emër të qeverisë së tij, me notat më të larta ushtrinë shqiptare dhe garantoi se nuk do të jetë e largët dita kur Shqipëria ta shohë veten përkrah SHBA-ve dhe shteteve të NATO-s, si anëtare me të drejta të plota në Aleancë.
Withers e vlerësoi si një kënaqësi të veçantë të dëshmosh që ushtarët shqiptarë të sapo kthyer nga shërbimi në Irak kanë përmbushur detyrën e tyre me nder dhe janë kthyer pranë familjeve të tyre.
“Është diçka e veçantë të shikosh që ata kanë përmbushur detyrën dhe janë kthyer në atdhe shëndosh e mirë”.
Duke kujtuar historinë e heroit shqiptar kombëtar Skënderbe, ambasadori amerikan citoi një poemë të poetit të madh Henry Wadsworth Longfellow, me të cilën vlerësoi lart ushtarakët shqiptarë.
“Pak më shumë se 100 vjet më parë poeti i madh Henry Wadsworth Longfellow shkroi një poemë të titulluar “Skënderbeu”. Dhe në të ai përshkuan se si Skënderbeu u kthye në Shqipëri për të mbrojtur atdheun e tij. Dhe ndërsa po mbërrinte në shtëpinë e të parëve të tij- shkruan Longfellow-mbi të, ylli i mëngjesit po shkëlqente. Sot ushtarë të Shqipërisë, ky yll shkëlqen mbi ju”, u shpreh Withers para trupave komando në sheshin “Skëndebe”.
Ambasadori amerikan shprehu falënderimet e qeverisë dhe kombi amerikan, për ndihmën e dhënë për vendosjen e paqes dhe lirisë në një tokë të largët.
“Ju përcjell respektin e kombit amerikan për kurajën e treguar në sy të rrezikut dhe për sakrificat e bëra duke qëndruar kaq gjatë larg familjeve dhe shtëpive tuaja.
Sot do ju shpreh mirënjohjen e përzemërt të popullit amerikan, pasi keni qenë gjithmonë miq të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kur ajo ka pas nevojë.
Dhe unë shoh përpara drejt asaj dite që nuk është shumë e largët më, kur ju të qëndroni përkrah nesh me miqtë tuaj amerikanë, si anëtarë të plotë të NATO-s”, nënvizoi Withers, duke u shprehu i sigurt për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO gjatë punimeve të samitit të ardhshëm të Aleancës që pritet të mbahet në Strasburg dhe Këln pranverën e 2009-ës.   

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›