Oketa dekoron disa kontingjente pjesëmarrës në misionin në Irak
Vlerësimi i Ministrisë së Mbrojtjes
TIRANE - Në vijim të ceremonisë, ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa dekoroi me medalje disa kontingjente pjesëmarrëse në misionin “Liria e Irakut“, si dhe me urdhër të veçantë ka dekoruar me medaljen “Për pjesëmarrje në shërbimet ndërkombëtare” të gjithë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët që morën pjesë në këtë mision.
Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe demonstrimi ajror i helikopterëve të FA Shqiptare në shenjë përshëndetjeje për përfundimin me sukses të plotë të këtij misioni të vështirë, por mjaft domethënës për Shqipërinë dhe Forcat e saj të Armatosura.
Ceremonia e djeshme ishte faza përmbyllëse e një vargu aktivitetesh që kanë filluar që më datë 20 dhjetor 2008, kur në aeroportin e Rinasit të parët që u kthyen në atdhe ishin 95 trupat ushtarake të misionit shtesë të Bagdadit, të shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa më 23 dhjetor u pritën 120 trupat e Kontingjentit të 12-të Paqeruajtës që vinin nga Mosuli i Irakut.
Misioni “Liria e Irakut” startoi në prill 2003, me kontributin e pazëvendësueshëm të trupave ushtarake të Regjimentit Komando.
Kontigjenti i parë ka pasur në përbërje të tij 71 ushtarakë, të cilat më pas, në kontingjentin e pestë u rritën në numër me 120, duke u shndërruar në kompani “Komando”, si pjesë përbërëse e Brigadës Shumëkombëshe të drejtuar nga SHBA.
Gjithsej në misionin në Irak kanë marrë pjesë 1 338 trupa të FA Shqiptare.