E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria, me ushtri profesioniste, e aftë për çdo mision përkrah SHBA-ve dhe NATO-s”

Kryeministri Berisha përshëndet ushtarakët shqiptarë që shërbyen në misionin paqeruajtës “Liria e Irakut”

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi përfundimin me sukses të misionit të trupave shqiptare në Irak, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm që tregon profesionalizmin në rritje të forcave tona të armatosura në prag të një zhvillimi të rëndësishëm, të anëtarësimit të plotë në NATO. Shefi i ekzekutivit shprehu mirënjohjen më të thellë për SHBA-të e presidentin Bush për përkushtimin e çmuar dhe theksoi se bashkëpunimi do të vazhdojë me Presidentin e sapozgjedhur, Barack Obama.

TIRANE - Qeveria shqiptare përshëndeti dje trupat ushtarake gjatë ceremonisë së zhvilluar në sheshin “Skënderbe”, për përmbushjen me sukses të misionit të tyre dhe njëherazi shprehu vlerësimet më maksimale për praninë ushtarake shqiptare në Irak, si simbol të respektit, mirënjohjes dhe miqësisë që shqiptarët ndjejnë ndaj kombi mik amerikan.
Kreu i qeverisë Sali Berisha, e cilësoi misionin e komandove shqiptare, si kontribues në shtimin e solidaritetit dhe miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me Irakun që po ndërton sistemin e tij demokratik.
Në këtë drejtim, Berisha falënderoi SHBA-të dhe aleatët tanë të NATO-s për ndihmën dhe mbështetjen që kanë dhënë e japin për Forcat tona të Armatosura dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Ndaj, theksoi kryeministri, Shqipëria ka tashmë një ushtri profesioniste dhe plotësisht të aftë për t’iu përgjigjur çdo misioni që do kërkojë vendi brenda dhe jashtë tij dhe se bashkëpunimi i shkëlqyer me Presidentin Bush do të pasohet me Presidentin e sapo zgjedhur Barack Obama.
“Në këtë mision më shumë se çdo gjë tjetër ju keni shtuar solidaritetin dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara, por edhe me Irakun që po ndërton sistemin e tij demokratik.
Unë kam bindjen se sot ju jeni më të gatshëm se kurrë, më të aftë, më të vendosur më profesionistë për çdo mision që do kërkojë vendi brenda dhe jashtë tij. Bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi pasur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara George W. Bush do ta vazhdojmë me Presidentin e zgjedhur Barack Obama në të gjitha rastet në të gjitha frontet që të jetë e nevojshme”, deklaroi Berisha.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë vuri në dukje se “pesë vjet më parë nga ky shesh, njësia e parë e Brigadës Komando u nis për në Irak, pas vendimit të qeverisë shqiptare për t’u bashkuar në koalicionin e vullnetit të atyre të cilët donin të ndihmonin kombin irakian për të ndërtuar paqen, lirinë dhe demokracinë në vendin e tyre. Pesë vjet ju shërbyet në Mosul në Bagdat, ju dhatë një kontribut të jashtëzakonshëm, ju mbrojtët jetën e qytetarëve irakianë, ju shkuat atje në një kohë kur Iraku përjetonte pasojat e tmerrshme të një diktature barbare. Riktheheni sot nga një Irak që ka një qeveri të zgjedhur demokratike, riktheheni sot nga një Irak, i cili çdo javë çdo muaj merr në duart e veta paqen sigurinë e qytetarëve dhe të vendit”, u shpreh Berisha para trupave komando.
Kryeministri theksoi se misioni i trupave shqiptare ishte një mision i bekuar, pasi të tilla janë të gjitha misionet e paqes, që trupat shqiptare kryejnë në Afganistan, në Çad e kudo gjetiu. Por, shtoi kryeministri, ky mision kishte një specifikë tjetër të madhe, pasi sipas kreut të qeverisë, trupat shqiptare shkuan atje së bashku me trupat e ushtrisë amerikane, të ushtrisë më të shkëlqyer të planetit.
“Prania juaj ishte para së gjithash simbol i respektit i mirënjohjes i miqësisë që shqiptarët ndiejnë ndaj një kombi të madh, ndaj qeverisë amerikane, dhe Presidentit Bush.
Kam pasur rastin t’ju vizitoj në Mosul. Jam ndjerë thellësish i impresionuar nga marrëdhëniet e shkëlqyera, bashkëpunimi i përsosur, koordinimi i plotë i juaji me njësitë amerikane në Mosul”, tha kryeministri.
Një falënderim dhe mirënjohje të veçantë kryeministri Berisha u ka përcjellë familjarëve të paqeruajtësve, nënave, baballarëve, bashkëshorteve dhe fëmijëve të tyre për mbështetjen që kanë dhënë dhe sakrificat që kanë bërë për bijtë e tyre, që ata të kryenin me sukses këtë mision të madh, si dhe u ka uruar atyre gëzuar festën e Vitit të Ri 2009.
Ndërkaq, fjalën e rastit në ceremoni e mbajti edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA gjeneral brigade Maksim Malaj, i cili shprehu falënderime madhore për Forcat e Armatosura, të cilat sipas tij, “me kontributin dhe me profesionalizmin ushtarak, lartësuan më shumë emrin e Shqipërisë, vlerat tona kombëtare; arritje këto që janë një investim madhor në rrugën drejt integrimit të plotë në Aleancën e Madhe te NATO-s”.
Më pas shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA gjeneral Malaj ka vijuar me falenderime dhe mirënjohje për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Komandën Qendrore, për trupat amerikane në Irak, si dhe për trupat e të gjithë pjesëtarëve të tjerë të Koalicionit, për mbështetjen e rëndësishme morale, logjistike, stërvitore që i kanë ofruar trupave tona.
Në këtë ceremoni të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, merrnin pjesë kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj, ambasadori amerikan Withers, si dhe drejtues të tjerë të lartë të ushtrisë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›