Kuvendi voton të hënën për kodin zgjedhor dhe projektligjin për “Prokurorinë”

Dekreti i Presidentit për ligjin e Kodit Zgjedhor dhe projektligji "Për Prokurorinë", janë dy çështjet më të rëndësishme që pritet të diskutohen në seancën plenare të së hënës në Kuvend, që është e fundit për këtë vit dhe për gjithë sesionin parlamentar të Vjeshtës.
Për të dyja këto çështje maxhoranca dhe opozita kanë gjetur konsensus, duke i miratuar ato në komisionet përkatëse.
Ligji i Kodit zgjedhor, pas kthimit në Kuvend nga Presidenti i Republikës më 3 dhjetor, u rishqyrtua nga komisioni i posaçëm zgjedhor, i cili miratoi një dispozitë tranzitore që i hap rrugën caktimit të datës së zgjedhjeve parlamentare 2009, nga Kreu i Shtetit. Ky i fundit e dekreton datën e zgjedhjeve 7 ditë pas miratimit të Kodit.
Ligji i ri zgjedhor përcakton rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikqyrjen, si dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë dhe për organet e qeverisjes vendore. Ndërsa p/ligji "Për Prokurorinë" u miratua dje nga komisioni i Ligjeve me konsensusin e deputetëve të të dyja palëve. Ligji i ri, që për nga rëndësia në reformimin e sistemit të drejtësisë, renditet i dyti pas ligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor" dhe kërkon miratim me shumicë të cilësuar votash (84 vota).
Projekti i ligjor i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, synon të rregullojë disa aspekte të rëndësishme të pozicionit dhe punës së Prokurorisë, në funksion të misionit të saj kushtetues si organ i centralizuar.
Gjithashtu, në seancën e fundit parlamentare për vitin 2009, parashikohet dhe miratimi i disa shtesave dhe ndryshimeve në Kodin Civil, në Kodin Penal, Kodin e Punës.