E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk është më rastësi, Teuta me meritë në krye

Nga Vlora, ELTON NIKA

Durrsakët kësaj radhe shënojnë dy gola për fitoren, ndërsa beratasit arrijnë vetëm njëherë të godasin shtyllën, por vetëm kaq

 

Tomori Teuta       0-2

Shënues: Hyshmeri 43, Veliaj 85

Tomori: Llani, Gjyla, Kaja, Muça, Çela (Karamani 70), G. Arbri, Hodo, Roshi, Çaushaj, Mile (Bakiu 46), K. Arbri. Trajner: E. Memushi.
Kartonë të verdhë: Gjyla, Kaja, G. Arbri, Çaushaj

 

Teuta: Rizvani, Sheta, Osmani (R. Hoxha 60), Jakupi, Stafa, Veliaj, A. Hoxha, Nika, Hyshmeri, Dosti (Mancaku 69), Çota (Frashëri 79). Trajner: H. Lika.

Gjyqtarë: A. Lulaj (Vlorë), P. Puto, G. Bimi (Gjirokastër)

Radiografia

4- Është një goditje nga K. Arbri, topi ndalohet nga një mbrojtës, kërkohet penallti për një prekje të topit me dorë nga mbrojtësi durrsak, vijon loja.

9- Teuta ka mundësi për gol. Kundërsulm i durrsakëve, i lirë në zonë Hoxha, që godet menjëherë, por largon Kaja në vijën e portës.

29- Hyshmeri rrëzohet në zonë, në dyluftim me një mbrojtës dhe portierin Llani, Teuta kërkon 11-metërsh, por gjyqtari nuk është i këtij mendimi.

35- Mile, në kufijtë e zonës, provon të godasë, por gjuajtja e tij është shumë e lehtë për portierin.

43- Hyshmeri godet fort nga rreth 25 metra dhe topi pushon në rrjetë. Teuta kalon në avantazh 0-1.

47- Bakiu lë një top për Çaushajn, që godet menjëherë, por topi përfundon ngjitur me shtyllën.

54- Kundërsulm i Tomorit, Bakiu shërben për Çaushajn, që gjuan, por topi përplaset tek një mbrojtës dhe përfundon në korne.

65- Sërish Çaushaj që provon, gjuajtja e tij është shumë e bukur, por traversa i mohon golin e barazimit.

79- K. Arbri për Bakiun, që gjuan në gjysëm kthesë, por vetëm jashtë.

85- Nika shërben për Veliajn. Mes një mbrojtësi dhe portierit beratasi gjuan saktë, duke shënuar golin e dytë, 0-2 për Teutën.

89- Provon Bakiu nga jashtë zonës, por pa rrezikuar, topi përfundon jashtë.

Teuta tregohet më racionale në ndeshjen e zhvilluar përballë Tomorit në Vlorë, duke marrë tri pikë shumë të rëndësishme dhe duke vijuar të mbetet në vendet e kreut, ndërsa Tomori më këtë humbje rrezikon në renditje.

Takimi i zhvilluar pa praninë e tifozëve, për shkak të dënimit të tifozëve beratas, ka qenë i nivelit mesatar, me pak raste të regjistruara gjatë 90 minutave, ndërsa për të dy ekipet cilësohej një ndeshje e rëndësishme, ku humbja nuk mendohej. Por në fund ka fituar Teuta, që nuk i ndahet kreut dhe duke treguar nga javë në javë se tashmë nuk është kot aty, madje kësaj radhe duke shënuar 2 gola, jo si në javët e kaluara.

Pjesa e parë Takimi nis i shpejtë për beratasit, të cilët në minutën e 4-t pretendojnë për një penallti, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari kryesor. Për rreth 30 minuta, loja zhvillohet kryesisht në mesfushë, ka pak raste dhe ngacmime në portat respektive. Minuta e 29-të sjell një tjetër moment të diskutueshëm dhe këtë radhë janë durrsakët që pretendojnë për penallti.

Ndeshja duket se fiton më shumë emocione, por do të jetë Hyshmeri që do të prishë ekuilibrat në lojë. Gjuajtja e tij nga rreth 25 metra është shumë e fortë, duke realizuar një gol shumë të bukur. Një gol që jep më shumë qetësi për miqtë, ndërsa Tomori, që luante si ekip vendës, duket se nuk e priste një ndëshkim të tillë. Me avantazhin minimal të Teutës mbyllet pjesa e parë.

Pjesa e dytë Me rifillimin e lojës, Memushi largon Milen dhe hyn Bakiu. Tomori nis të luajë më mirë, kërkon më shumë drejt portës kundërshtare, ndërsa Teuta i beson mbrojtjes dhe kundërsulmit. Çaushaj provon disa herë, por gol nuk ka. Minuta e 65-të është edhe momenti më i bukur, por goditja e Çaushajt përfundon në traversë dhe më pas largohet nga mbrojtja e Teutës në korne.

Tomori beson se mund të barazojë dhe hidhet drejt sulmit, por mbrojtja e Teutës dhe portieri janë në një ditë të mirë. Pesë minuta nga fundi vjen ndëshkimi nga një ish-lojtar, si Veliaj, që ndëshkon pikërisht ekipin e qytetit të lindjes. Pasi merr një top nga Nika, Veliaj avancon dhe me portierin dhe një mbrojtës në duel del fitues, duke shënuar golin e dytë dhe mbyllur krejt takimin. Tomori nuk më forca, ndërsa Teuta merr kështu tri pikë në transfertë, duke treguar momentin e mirë që po kalon.

Tashmë Teuta pret në shtëpi Dinamon, ndërsa Tomori ka ende shumë për të bërë, teksa javën e ardhshmë e pret një tjetër sfidë delikate, përballë Tiranës në transfertë. As ardhja e Memushit, siç duket, nuk i bën punë ekipit beratas dhe duket se aty problemet janë ulur këmbëkryq.

Memushi: U ndëshkuam nga dy episode

Jemi ndëshkuar nga dy episode, që kanë vendosur fatet e këtij takimi. Jemi munduar për të zhvilluar një ndeshje të mirë dhe në pjesën e dytë kemi luajtur mjaft mirë, por edhe fati nuk ishte me ne. Kemi shumë punë përpara për të përmirësuar në lojën tonë dhe për të dalë te rezultatet pozitive. Sot meritonim të mos humbisnim, por ky është futbolli, duhet pranuar atë që jep fusha gjatë 90 minutave të saj. Gjithsesi, ekipi ka mundësi për më shumë.

Lika: Të vijojmë në rrugën e nisur

Tri pikë shumë të rëndësishme për ekipin. Mendoj se në pjesën e dytë kundërshtari na vuri në vështirësi dhe mund të kishte barazuar, por na ndihmoi edhe shtylla. Mund të kishim shfrytëzuar më mirë hapësirat e lëna pas nga kundërshtari, por në pasin e fundit kemi gabuar.

Megjithatë, kemi fituar dhe kjo është e rëndësishme sot. Kemi shënuar dhe pas golit mund të kishim shfrytëzuar më mirë avantazhin që krijuam në pjesën e parë, por miqtë Tomori gjatë 45 minutave të dyta luajti më mirë.16 pikë në renditje? Është një fillim i mbarë, le të vijojmë në këtë rrugë.

Tension në dhomat e zhveshjes së beratasve

Momente acarimi ka pasur në dhomat e zhveshjes së Tomorit pas përfundimit të ndeshjes. Për disa minuta tonet janë ngritur mes futbollistëve beratas, ku duket se kanë akuzuar njëri-tjetrin për humbjen e shkaktuar ndaj Teutës. Duket se nervat e futbollistëve nuk kanë arritur të jenë të qeta, duke parë edhe renditjen pas ndeshjes me Teutën.

Është dashur edhe ndërhyrja e stafit të ekipit për të qetësuar situatën e krijuar dhe duket se gjithçka është mbyllur me aq. Kjo tregon edhe një herë se te Tomori problemet janë të thella, ku përveç rezultateve negative dhe renditjes së keqe, në ekip nuk ka harmoni, edhe pse iku një trajner dhe erdhi një tjetër.

Të veçanta

-      Të pranishëm në takim kanë qenë kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika.

-      Takimi është luajtur pa praninë e tifozëve, pasi beratasit janë dënuar, por luajnë edhe në fushë asnjanëse, sepse stadiumi është në rikonstruksion.

-      Ndeshja nuk është transmetuar nga asnjë televizion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›