Nuk është opinioni që mund të vendosë drejtësinë
Tashmë, shumë media të Tiranës, e kanë përcjellë lajmin se ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, e fitoi gjyqin me stacionin televiziv privat “Top Channel”, teksa gjyqtari Agim Bendo e gjeti fajtor këtë të fundit dhe e dënoi me 400 mijë euro gjobë. çështjen “Pango”, si amalgamë të abuzimit me pozitën zyrtare dhe dhunimit të privatësisë nga një medium i komunikimit publik, e kemi debatuar gjerë e gjatë në hapësirën tonë të diskutimit këtu dhe pozicionet e mia nuk kanë ndryshuar, meqë unë përsëri mendoj se abuzimet e zyrtarëve të lartë në detyrë nuk mund të zgjidhen as të luftohen me anë përgjimesh të autorizuara dhe të kryera në mënyrë abuzive nga mediat private, të cilat nxiten nga interesa komerciale private (dhe as nga mediat në përgjithësi). Prandaj nuk mund të mos e përshëndes vendimin e gjykatës, si një shembull të nevojës së këtij institucioni për t’u distancuar nga opinioni publik, mendësia e linçimit, sentimentalizmi dhe hipokrizia. Aq më i rëndësishëm bëhet ky vendim, në rrethanat kur personi i implikuar, ish-ministri Pango, përgjithësisht konsiderohet si i papërtypshëm (unpalatable) nga opinioni në Tiranë, për arsye ligjërisht triviale. Si çdo qytetar, edhe ky person gëzon të drejtën e padhunueshmërisë së shtëpisë së vet dhe të hapësirës së vet private, të cilën të drejtë “Top Channel” dhe redaktorët përgjegjës të emisionit “Fiks Fare” ia shkelën, në atë masë që transmetuan pamje të filmuara në ato mjedise, kundër dëshirës së vet personit. Nevoja për të respektuar një të drejtë civile vjen e bëhet imperative, në momentin kur personi i implikuar është i pakëndshëm, ose përfaqëson një filozofi të jetuari me të cilën nuk pajtohemi. Nuk kam dyshim se sikur dhunimi i privatësisë t’i ishte bërë një njeriu të dashur nga masat e gjëra, p.sh. aktorit Mirush Kabashi, ose vetë gazetarit investigativ Filip çakuli, opinioni do të ishte ngritur në këmbë, për të kërkuar mbrojtjen e privatësisë dhe për të dënuar mediumin në fjalë. Duke shënjestruar, sipas dëshirës dhe pa pasur autorizim nga asnjë institucion juridik, Ylli Pangon për “gazetari investigative”, “Top Channel” kërkoi, objektivisht, të legjitimonte një përpjekje të vetën antikushtetuese nëpërmjet faktit që Pango ishte person i përgojuar për gjithfarë lapërdhish. Edhe tani, në reagimin ndaj vendimit të gjykatës, faqja zyrtare e këtij kanali krahason në mënyrë sarkastike gjobën prej 400 mijë eurosh me “trishtimin” e Pangos; thua se trishtimi ose lëndimi i një njeriu çfarëdo qenka vetvetiu më pak i rëndësishëm se arkat e një televizioni komercial.
Shkruhet në faqen e “Top Channel”:
“Në fakt, vendimi i gjykatës përbën një rast të paprecedentë kur pavarësisht se opinioni publik dënoi veprimet e zotit Pango, duke e cilësuar si një abuzim të pastër me detyrën, ndërsa një gjyqtar dënon denoncuesin e këtij skandali”.
Të vihet re referimi ndaj “opinionit publik” si argument që u dashka të kundërshtojë vendimin e një gjyqtari, i cili, sido që të jetë puna, ka një raport më legjitim me ligjin dhe dënimin e korrupsionit, sesa një kanal televiziv privat... Të vihet re edhe se artikulli e konsideron “të paprecedentë” faktin që një gjyqtar guxon të veprojë kundër çka opinioni publik (tmerrësisht unanimisht) ka dënuar, pas “denoncimit” nga ana e “Top Channel”-it...Pikërisht për të luftuar këtë mendësi primitive, që kërkon t’i identifikojë dhe t’i ndëshkojë fajtorët sipas humoreve të turmës dhe “opinionit”, vendimi i gjyqtarit Agim Bendo merr, për mua, rëndësi të veçantë, në mos historike. është ironike të lexosh si në argumentin e vet “zyrtar”, me siguri të hartuar nga një jurist i kompanisë, “Top Channel” i referohet opinionit publik; pikërisht sepse dihet roli vendimtar që luajnë mediat komerciale dhe sidomos “Top Channel” në Shqipëri, për ta krijuar, formësuar dhe riprodhuar këtë opinion publik. Me fjalë të tjera, në një sistem që kërkon të ndjekë modelin demokratik të ndarjes së pushteteve dhe respektit për të drejtat qytetare, një televizion privat nuk ka kurrfarë meraku që t’i drejtohet opinionit publik, të cilin praktikisht e ka krijuar ai vetë, për t’i kërkuar solidaritet dhe mbrojtje ndaj akuzës se ka shkelur privatësinë e një personi çfarëdo dhe e ka shkelur nëpërmjet një akti në thelb kriminal i cili, ndër të tjera, ka nxitur vetë antipatinë e opinionit publik ndaj personit të dhunuar! Tani s’më mbetet veç të shpresoj që Gjykata e Apelit jo vetëm do ta miratojë këtë vendim të Bendos, por edhe do ta riformulojë në mënyrë të tillë, që çdo kanal privat televiziv që do të guxojë të përgjojë persona privatë në të ardhmen dhe t’i shfaqë pastaj filmimet në publik pa lejen e të interesuarit, të rrezikojë drejtpërdrejt falimentimin. Kjo s’ka të bëjë as me “Top Channel”, as me figurën etike të individit Ylli Pango – të cilin nuk e njoh aq sa ta gjykoj; por me nevojën që kemi të gjithë për ta parë shoqërinë shqiptare të qytetëruar një ditë prej ditësh.
Marrë nga blogu Peizazhe të Fjalës. (www.xhaxhai.wordpress.com)
(*Titulli është redaksional)