E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga, e përdorin edhe 9-vjeçarët

TIRANE-Rritet numri i përdoruesve të drogave, por më alarmantja është ulja e moshës kur e fillojnë atë. Kështu në statistikat e mbledhura nuk mungojnë as raste, kur si përdorues të lëndëve narkotike ka edhe 9-vjeçarë. Ky është rasti më i vogël në moshë i diagnostikuar. Pikërisht përmasat alarmante që po merr ky fenomen edhe në vendin tonë,ka mbledhur dje në ditën ndërkombëtare të luftës kundër abuzimit të drogës, kreun e Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe atë të ministrisë së Brendshme, Lulzim Basha, për të bashkërenduar masat në luftën kundër këtij fenomeni. Vasili ka deklaruar se strategjia e luftës kundër drogës synon mbështetjen nga ana e shtetit e familjeve të pëdoruesve të drogave, ndërsa Basha ka deklaruar se pasuritë e sekuestruara të trafikantët të kalojnë në përdorim për viktimat.
Vasili
Në Ditën Botërore të Luftës kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogave, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, përcolli mesazhe të qarta për trajtimin e problemeve që lidhen me përdorimin e drogës. "Përballimi i problemit të përdorimit të drogave në Shqipëri tashmë është i konceptuar qartë dhe zbatohet në praktikë, ndërkohë që mjaft i rëndësishëm për përballjen e tij në të ardhmen është vijimësia e bashkëpunimit me të gjithë aktorët. Ne jemi këtu për të demostruar seriozitetin e një problemi që tashmë është jo thjesht medikal, social, por edhe një problem që tashmë është dhe prioritet madhor dhe familjar, aty ku ky problem eksizton", - ka deklaruar ministri Vasili. Në fund të fjalës së tij në këtë konferencë ministri Vasili garantoi mbështetjen për çdo familje shqiptare që përballet me këtë problem, për t'i lehtësuar barrën, nëpërmjet një veprimtarie shumëplanëshe, qoftë në atë të parandalimit të drogave, qoftë dhe të reduktimit të dëmit. Me këtë rast, ai përcolli një falenderim për të gjithë mjekët dhe specialistët që kanë punuar drejtpërdrejt për reduktimin e përdorimit të drogave. "Mjekësia jonë është gjithnjë e më shumë medikosociale", - nënvizoi ai. Ai u ndal edhe në adaptimin e rregulloreve të reja për shërbimin shëndetësor në shkolla, paketën e re të shërbimeve shëndetësore të miratuar vitin e kaluar dhe këshillimin për drogat, si dhe programin e shkollave të shëndetshme të ndërmarrë nga Instituti i Shëndetit Publik, të cilat përmbajnë elementë për një mobilizim kapilar në këtë problem të rëndësishëm, që po përballet me seriozitetin dhe përgjegjshmërinë maksimale.
Basha
Ministri Basha vuri në dukje se po shfrytëzohen të gjitha burimet njerëzore dhe financiare për reduktimin e prodhimit të drogave, sigurimin e territorit, forcimin e veprimit të ligjit, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe atë brenda institucioneve të vendit. "Vetëm gjatë viteve të fundit, - tha Basha, - janë eliminuar disa prej organizatave më të mëdha kriminale, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të këtyre bandave, janë vënë para drejtësisë". Ai shtoi se qeveria shqitare ka parashikuar që të gjitha pasuritë e sekuestruara të trafikantëve të drogës t'u kalojnë në përdorim për viktimat që shkakton përdorimi i saj. "Nëse në vitin 2004 në Itali u sekuestruan 1085 kg heroinë e transportuar nga Shqipëria, në vitin 2009, sasia e drogës së sekuestruar në Itali ishte 59 kg", - tha ministri Basha, i cili ka shtuar se rëndësi të veçantë në luftën kundër drogës, ka luajtur instalimi i sistemit MEMEKS dhe atij TIMS në pikat e kufirit.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›