E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk funksionojnë institucionet, dështon ligji antiduhan

01/06/2011  Justifikimet për shpërndarje kompetencash, tani propozohet edhe gjoba ndaj qytetarëve duhanpirës

Pas katër vjetësh nga hyrja në fuqi e ligjit për ndalimin e konsumit të duhanit në ambientet publike situata jo vetëm që nuk ka gjetur përmirësim, por është përkeqësuar edhe më shumë si pasojë e shtimit të konsumatorëve, veçanërisht në radhët e moshave shkollore 12-14 vjeç. Pavarësisht se ligji ngarkon me përgjegjësi dhjetëra institucione, përplasjet mes tyre, burokracitë, neglizhencat dhe fushatat e dobëta kanë bërë që zbatimi i ligjit të mbetet vetëm në letër. Kështu dikasteret përgjegjëse, Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, Inspektorati Shtetëror Sanitar, policia bashkiake, ajo tatimore si dhe të gjitha drejtoritë rajonale e strukturat e tjera ndihmëse nuk kanë kryer punën siç duhet në përmbushje të ligjit. Në këto kushte, fondet e akorduara për edukimin dhe sensibilizimin ndaj pasojave që shkakton duhani në shëndet kanë shkuar dëm. Lidhur me këtë situatë, institucionet janë justifikuar se shpërndarja e kompetencave ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, si dhe përplasjet mes tyre kanë bërë që ligji të dështojë në zbatim. Ndërkohë që një tjetër propozim i hedhur për t’i dhënë zgjidhje këtij dështimi është edhe ndëshkimi i pirësve të duhanit në ambientet publike, krahas pronarëve të lokalit apo menaxherëve. Ekspertët e ISHP-së, janë justifikuar me faktin që një nga faktorët që ka ndikuar në moszbatimin e ligjit është pikërisht ndarja e këtyre kompetencave, për të cilat është propozuar që gjobat të hartohen dhe vilen nga i njëjti institucion. Deri tani inspektorët sanitarë hartonin gjobat, kurse policia bashkiake duhet t’i vilte ato, dhe deri tani nuk e ka kryer këtë mision, duke lënë kështu shumë gjoba të pambledhura. “Jemi duke rimodeluar funksionet e Inspektoratit të Lartë Shëndetësor, i cili duhet të jetë si një trupë e vetme, me përqendrim të të gjitha funksioneve në një trupë të vetme të inspektorateve sanitare. Kërkohet një koordinim më i mirë i policisë bashkiake, asaj komunale, që bëjnë të mundur të eliminohet duhanpirja dhe të minimizohet në ato vende ku është e mundur”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme kreu i ISHP-së, Enver Roshi. Megjithatë, situata është tepër kaotike, pasi numri i përdoruesve shfaqet në rritje. Madje, pirja e duhanit vihet re në masë edhe në institucionet e rëndësisë, siç janë spitalet, ku korridoret në çdo orë të ditës janë të tejmbushura nga bishtat e cigareve të hedhura kuturu. Sipas të dhënave, pohohet se në Shqipëri rreth 40 % e popullsisë konsumon duhan, ndërkohë 14 për qind e tyre i takon moshës 13-15 vjeç. Tendencë në rritje kanë shifrat për femrat duhanpirëse. Pavarësisht masave të deklaruara deri më tani, tentativat për të ndaluar duhanpirjen kanë dështuar, si pasojë e mosfunksionimit të një sërë institucionesh. Sikundër ndodh çdo vit, edhe dje në Ditën Botërore Kundër Duhanit ekspertët kanë rikujtuar se tymosja shkakton mbi 25 sëmundje dhe në botë renditen mbi 5 milionë vdekje në vit nga duhanpirja. Po nëse konsumimi i duhanit vazhdon me këto ritme, parashikohet që vdekshmëria nga përdorimi i tij pritet të dyfishohet deri në vitin 2030.

Strukturat përgjegjëse

Inspektorati Sanitar Shtetëror dhe strukturat e tij vartëse

Ministria e Shëndetësisë

Instituti i Shëndetit Publik dhe strukturat e tij ndihmëse

Drejtoritë rajonale të shëndetit publik

Administratës doganore dhe Policia Tatimore

Policia bashkiake dhe ajo komunare

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›