Nuk i dha para, djali plagos rëndë nënën
Një 22-vjeçar nga qyteti bregdetar ka rrahur dhe goditur me mjete të forta nënën e tij, e cila ka refuzuar t‘i japë para. Djali është prangosur nga policia dhe ndaj tij ka nisur hetimi në gjendje të lirë, ndërkohë që e ëma, 54-vjeçare ndodhet e shtruar në spital nga plagët e marra nga dora e të birit. Burime zyrtare nga policia e Vlorës, bëjnë të ditur se Amarildo Çela, 22 vjeç pasi kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli ka shkuar në shtëpinë e tij rreth orës 23:00 të së mërkurës. Djali ka kërkuar para të ëmës, por ka hasur në kundërshtimin e kësaj të fundit. Pasi kanë debatuar për disa minuta nënë e bir, i acaruar Amarildo ka ushtruar dhunë ndaj së ëmës. Ai e ka qëlluar fillimisht me grushte dhe më pas, duke e shtritë në dysheme e ka goditur me sende të forta. Fqinjët kanë ndërhyrë, pasi kanë dëgjuar klithmat e nënës, ndërkohë që e kanë gjetur 54-vjeçaren pa ndjenja në dysheme. Ajo është dërguar me urgjencë në spital në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Mi.Ma.
Mi.Ma.