E Diel, 1 Nëntor 2026

Zemra e zezë e Salvadorit

Zeze e mbylli derën tri herë me çelës. Nga këto anë, pas perëndimit të diellit asgjë nuk është më e sigurt. Jashtë, në dritare, pasqyrohet ngjyra blu e televizorëve të ndezur. Në Salvador nata është e frikshme. Zeze fik kompjuterët dhe ndërkohë fillon të sistemojë dhomën. Këtu, në këtë dhomë ku u jep muzikë fëmijëve të lagjes, para pak kohësh ishte një fermë dhe pronari, qëndronte gjithmonë me sytë e fiksuar drejt horizontit, për të parë anijet e zezakëve ndërsa hynin në "Baia de todos los Santos" ("Gjirin e gjithë shenjtorëve"). Nga përtej oqeanit vinin mallra të freskëta dhe si gjithmonë kishte krahë të rinj për të ndarë shapin nga sheqeri. Për këtë arsye, edhe lagjja, një nga më të populluarat e Salvadorit, përbëhet kryesisht nga zezakë, që janë pasardhës të skllevërve. "Kultura braziliane është një kulturë e zezë", thotë Zeze. Ajo, me një lëkurë të zeshkët, nuk dëshiron që të rinjtë të harrojnë prejardhjen e tyre. U mëson fëmijëve historinë e zezakëve të Brazilit, por edhe informatikë e anglisht, për t‘i ndihmuar që të bëhen pjesë e një shoqërie të lartë, edhe pse shpesh herë diskriminohen: "Pjesa më e madhe e fëmijëve janë shumë të talentuar, por nuk kanë mundësi dhe mjete për ta zhvilluar këtë talent", thotë ajo.
Si metropol me rreth 3 milionë banorë, 70 për qind e të cilëve janë zezakë, Salvadori është kryeqyteti i Bahias, i konsideruar si vendi më afrikan i gjithë Brazilit. Kjo është edhe arsyeja që Salvadori u zgjodh si vendi për të pritur në janar të 2010-ës "Bahia Social Forum" (Forumin Social të Bahias), takim i cili do të ribashkojë të gjithë të deleguarit e shoqërisë civile të gjithë botës, duke i paraprirë Forumit Social Botëror të Dakarit, i cili do të zhvillohet në vitin 2011. Ky forum do të jetë gjithashtu edhe një urë lidhëse mes Brazilit dhe Senegalit. Me rastin e dhjetëvjetorit të Forumit Social Botëror të Porto Alegre, në Salvador, do të diskutohet për temën "Nga Bahia në Dakar: të përballosh krizën me integrim", alternativat e neoliberalizmit (një term i përdorur nga oponentët e liberalizmit ekonomik), marrëveshjet e mundshme ekonomike mes Afrikës dhe Brazilit, perspektivat e reja për mbrojtjen e ambientit dhe ruajtjen e kulturës afrikane në Amerikën Latine. "Zgjedhja e Salvadorit ka një vlerë të veçantë", thotë përfaqësuesi i Forumit Social Botëror. "Ky shtet ka qenë një prej portave kryesore hyrëse të afrikanëve, viktima të skllavërisë. Ka ardhur koha të fillojnë të mendojmë për të ardhmen domethënëse që i pret. Them se gjithçka do të rregullohet përmes një dialogu mes dy vendeve të cilat kanë një kulturë të përbashkët dhe prejardhje afrikane".
Në këtë anë të Atlantikut është e lehtë të shohësh një Afrikë të re. Ajo është e pasqyruar nëpër fytyrat e banorëve të Bahias, zërat e tyre dhe tamburet që bëjnë të dridhet toka. "Deri para pak vitesh, institucionet braziliane interesoheshin shumë për kulturën e zezakëve, sepse ua shisnin atë turistëve", thotë një person i cili merret me koordinimin dhe organizmin e karnavaleve. "Tani qeveria ‘Lula‘ ka treguar vërtet interes për formimin dhe integrimin e afrikanëve. Gjithsesi, në pamje të parë shoqëria është e qetë, por realisht mes të bardhëve dhe zezakëve qëndron një hendek i madh".
Ndryshimi vërehet që te statistikat, të realizuara nga një kompani ekonomike, të cilat tregojnë se punëtorët zezakë fitojnë shumë më pak se njerëzit e bardhë. Ndërkohë, papunësia arrin në 9,3 për qind për zezakët, kundrejt 7,5 për qind për njerëzit e bardhë. Një tjetër hendek i madh që ekziston mes të bardhëve dhe zezakëve është se "zonjat e bardha" jetojnë në shtëpi private tepër luksoze dhe bëjnë pazar në dyqanet më të shtrenjta të vendit, ndërsa "zonjat zezake" jetojnë në baraka, mbledhin ushqime nëpër kazanët e plehrave dhe vishen me lecka. "Racizmi në Brazil nuk është një problem individual, por institucional. Në këtë vend, të gjithë njerëzit kanë miq, shokë, kolegë zezakë. Por derisa zezakët të mos kenë një prezencë domethënëse në Parlament, gjykatë, universitete dhe industri, interesat e tyre nuk do të merren kurrë në konsideratë", thotë Zeze.
Pablo, një djalë 18-vjeçar, tregon se ka hequr shumë për t‘u bërë dikush në jetë dhe për të mos u përçmuar nga të tjerët. "Në fillim nuk dija ç‘të bëja, me se të merresha, thjesht jetoja jetën dhe kjo më mjaftonte. Fatmirësisht, tani falë vullnetit, forcës sime dhe ambicies, arrita të bëhem dikush. Them se kam lindur me fat dhe tani do të kem më shumë mundësi në jetë". Së bashku me 80 djem të tjerë, Pablo ka frekuentuar disa kurse për informatikë dhe produksion dixhital.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›