E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk i kthejnë borxhin, qëllon nënën dhe bijën

KORÇË/ Policia ka vënë në pranga Bogdanin, i cili pasditen e së premtes ka ushtruar dhunë mbi një 46-vjeçare


KORÇË -Qëllon nënë e bijë, ndërsa përfundon në pranga nën akuzën e "plagosjes së lehtë me dashje" shtetasin Pandi Bogdani, banues në fshatin Tren të Devollit. Burime zyrtare të policisë së Korçës bënë të ditur se 31-vjeçari ka ushtruar dhunë fizike duke shkaktuar plagosjen e shtetases Luljeta Spaho, si dhe të vajzës së saj.


I arrestuar në flagrancë nga uniformat blu, Bogdani ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura, ndërkohë që është hera e dytë që ai denoncohet nga Spaho. Burime jozyrtare shprehen se gjithçka ka lidhje me një shumë parash të dhënë borxh nga dhunuesi përkundrejt dy grave.


Pasditen e së dielës, rreth orës 18:00, sipas burimeve zyrtare të policisë, Pandi Bogdani, banor i fshatit Tren, ka ushtruar dhunë fizike mbi shtetasen Luljeta Spaho, 46 vjeçe, si dhe mbi vajzën e saj.


Ngjarja mësohet të ketë ndodhur pranë një lokali, pronë e shtetasit Basri Pavliqoti, në fshatin Progër të rrethit Devoll, ku banon edhe Spaho me të bijën. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se shkak për dhunën fizike të ushtruar nga Bogdani mbi dy gratë është një borxh prej 70 mijë lekësh.


Por gjithashtu dyshohet që plagosja të jetë kryer edhe në inat e sipër pas denoncimit të kryer po nga e njëjta shtetase kundër 31-vjeçarit, për "dhunim banese", akuzë për të cilën ai po hetohej në gjendje të lirë. Mësohet se para oficerëve të policisë gjyqësore, Bogdani nuk ka pranuar asnjë akuzë të ngritur ndaj tij, duke mohuar gjithçka.


Më datë 29 qershor, Luljeta Spaho, 46 vjeçe, banore e fshatit Progër, denoncoi Pandi Bogdanin për "dhunim banese". Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se 31-vjeçari kishte tentuar të hynte në shtëpinë e dy grave, të cilat jetojnë vetëm për shkak të divorcit mes çiftit, ndërsa vajza ka qëndruar me të ëmën.


Hyrja në shtëpi është tentuar të realizohet përmes dritares, gjë që ka vënë në alarm të zonjën e shtëpisë dhe të bijën. Pas kësaj, Bogdani u ndalua dhe pas marrjes në pyetje po hetohej në gjendje të lirë për "dhunim banese".


Por edhe në këtë rast, 31-vjeçari ka mohuar çdo lidhje. Ndërkohë, mësohet se pritet përgjigjja e ekspertizës mjeko-ligjore në mënyrë që prokuroria të vijojë më tej çështjen kundër Bogdanit.


Burime jozyrtare theksojnë se borxhi që burri i kishte dhënë 46-vjeçares dhe që nuk i ishte kthyer, ka bërë që ky i fundit të reagojë, fillimisht duke tentuar të hyjë përmes dritares në orët e vona të natës, e më tej duke ushtruar dhunë fizike mbi gruan dhe të bijën. Akuza e fundit e ngritur ndaj 31-vjeçarit është "plagosje e lehtë me dashje".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›