E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet apartamenti nga një shkëndijë elektrike

06/07/2009  Zjarri në kryeqytet

TIRANE- Një banesë në katin e katërt të një pallati shtatëkatësh në Tiranë është përfshirë nga flakët dje në mesditë. Zjarri ka shpërthyer në një nga dhomat e apartamentit në pallatin që ndodhet në afërsi të kopshtit botanik. Menjëherë pas marrjes së njoftimit në vendin e ngjarjes shkuan forcat e zjarrfikëses, të cilat evakuan banorët e apartamenteve pranë me qëllim shmangien e çdo rreziku të mundshëm. Më pas kanë vënë nën kontroll flakët duke shmangur në këtë mënyrë përhapjen e tyre në dhomat e tjera të apartamentit, si dhe në banesat ngjitur me të. Sipas të dhënave të para nga dëshmitarët e ngjarjes, mësohet se nga flakët e zjarrit që përfshinë banesën janë shkaktuar disa dëme materiale, ndërsa nuk ka pasur të lënduar. Në dhomën ku ka rënë zjarri janë dëmtuar të gjitha orenditë, ndërsa në dhomat e tjera orenditë janë dëmtuar nga tymi. Mësohet se në momentin e rënies së zjarrit nuk ka pasur njeri në shtëpi. Ndërkohë që nga hetimet paraprake të kryer nga specialistët ka rezultuar se shkak i këtij zjarri mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike, e cila mund të ketë ndodhur afër një rafti me libra, që kanë marrë flakë menjëherë duke e përhapur atë në të gjithë dhomën. Aktualisht anëtarët e grupit hetimor kanë administruar në dosje disa dëshmi të personave që banonin aty afër si dhe pronarit të banesës. Vetë ky i fundit, ka përjashtuar se zjarri mund të ketë rënë si pasojë e një akti të qëllimshëm, pasi ai pohoi para hetuesve se s’ka asnjë konflikt me persona të ndryshëm. Ndërkohë që për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes materialet hetimore të kësaj çështjeje i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë. Lidhur me ngjarjen në ditët në vazhdim priten të dhëna më konkrete.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›