E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, dy të vdekur nga aksidentet rrugore

Kalimtarët janë përplasur nga makinat dhe nuk kanë mundur që të mbijetojnë. Arrestohen dy shoferët


TIRANË - Aksidentet vazhdojnë të marrin jetë njerëzish, ku në të shumtën e rasteve, në kryeqytet dhe në zonat periferike të tij, viktima të tyre janë bërë kalimtarë të rastit.


Dy persona kanë humbur jetën, në dy aksidente të ndryshme gjatë 24 orëve të fundit të ndodhur njëri në qendër të kryeqytetit dhe tjetri në rrugën nacionale Kavajë- Rrogozhinë.


Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, një 57 vjeçare emri i të cilës nuk është bërë i ditur, është përplasur për vdekje nga një makinë tip "Benz", e drejtuar nga 32- vjeçarja me inicialet H. M, lindur në Durrës dhe banuese në Tiranë, pranë Hotel "Dajtit", në bulevardin "Zhan Dark".


Viktima e këtij aksidenti, edhe pse është dërguar nga drejtuesja e automjetit me urgjencë në Spitalin Ushtarak, nuk ka mundur të jetojë duke ndërruar jetë sapo është dërguar në spital.


Drejtuesja e makinës me targa "TR 9587 P", që shkaktoi aksidentin është arrestuar nga Seksioni i Hetimit të Aksidenteve Rrugore me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërkohë aksidenti tjetër me pasojë një të vdekur ka ndodhur në aksin rrugor Kavajë - Rrogozhinë, në vendin e quajtur degëzimi i Ballutajt. Edhe në këtë aksident viktimë është bërë një këmbësore me emrin Fitnete Shehu, 61 vjeçe, lindur dhe banuese në Kavajë.


Viktima e këtij aksidenti, 61- vjeçarja Shehu ka qenë duke ecur për gjatë aksit rrugor, kur është goditur për vdekje nga një autobus tip "Benz" me targa të Elbasanit, drejtuar nga 33- vjeçari Refat Godolja, lindur në Gramsh dhe banues në Cërrik.


E moshuara ka gjetur vdekjen në vend, nga përplasja e fortë si dhe nga plagët e shumta që ka marrë në trup. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Tiranës, ekspertët e hetimit të aksidenteve rrugore të cilët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes në bashkëpunim dhe me efektivat e policisë së Komisariatit Policisë së Kavajës, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të autorit të aksidentit me pasojë një të vdekur.


Materialet hetimore për aksidentin i kanë kaluar Prokurorisë së Kavajës për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›