E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk jam kundër

Presidenti Fatmir Sejdiu nuk përjashton mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në nivel vendi, por thekson se vendimi për këtë është çështje, konsensusit që mund të arrijnë partnerët e koalicionit dhe subjektet e tjera politike në Kosovë.

“Nëse do të krijohet ndonjë situatë që mund të lindë ideja apo të merren vesh të ketë diçka tjetër si variant e investimit në proceset demokratike, unë nuk jam ai që mund të prishë konceptin e marrëveshjeve politike që arrihen në nivel vendi. Është në lirinë e partnerëve të koalicionit të merren vesh”, ka deklaruar presidenti Sejdiu, në një takim me gazetarë, të fundit për këtë vit.
Ai ka bërë një rekapitullim të politikës në Kosovë gjatë këtij viti, ndërsa është ndalur për herë të parë për të komentuar zhvillimet e natës së 19 nëntorit, kur PDK’ja paralajmëroi mundësinë e prishjes së koalicionit me LDK’në.

“Koalicionet janë edhe s’janë, prishen e ndreqen. Unë kam pasur një lajm atë natë nga zëvendëskryeministri Manaj, kam qenë shumë i qetë. Dhe mendoj se ditën e nesërme është kapërcyer midis parterëve të koalicionit”, ka sqaruar presidenti Sejdiu.

Ai e ka cilësuar të ngutshëm veprimin e partnerit qeverisës.

“Ka qenë një sekuencë jo e nevojshme dhe e ngutshme. Mendoj se çdo veprim që bëhet, duhet të bëhet konform legjislacionit në fuqi. Koalicionet janë dhe s’janë, prishen, ndërtohen. Po e quaj figurativisht, është çështje e dashnisë së partnerëve”.

Duke folur për vitin që po lëmë pas, Presidenti Sejdiu ka thënë se Kosova ka arritur të mbajë stabilitetin e nevojshëm dhe se zgjedhjet lokale u mbajtën në frymë demokratike. Ai shtoi se gjatë vitit të ardhshëm priten më shumë njohje të pavarësisë si dhe anëtarësim të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

Presidenti Sejdiu u ka bërë thirrje partnerëve të koalicionit që ta ngrisin nivelin e qeverisjes dhe ta bëjnë më të mirën për qytetarët. Lidhur me këtë, ai ka përmendur angazhimet që duhet bërë në sektorin e arsimit dhe energjetikës.

Ai ka bërë të ditur se presidenti i Serbisë, Boris Tadic nuk do të ftohet në një takim joformal të presidentëve të rajonit që pritet të mbahet në Prizren. Sejdiu tha se nuk mund ta ftojë presidentin serb, përderisa ai vazhdon të punojë kundër pavarësisë së Kosovës, por theksoi se do të vijë koha kur do të ftohet edhe Tadic.

“S’do ta ftoj për të bërë lojë. Një njeri që me gjithë energjinë e vet shprehet kundër pavarësisë së Kosovës, bën fushatë me hovin më të madh në të gjitha kancelaritë botërore për të penguar njohjet e mëtejshme. Unë mendoj se qëndrimi ynë themelor është që nesër figurativisht të kemi raporte të mira me Republikën e Serbisë. Ne edhe sot jemi të gatshëm, por jo për lojë, absolutisht”, ka thënë presidenti Sejdiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›