Pret ndryshime më 2010

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka përmbyllur këtë vit më kritika në drejtim të qeverisës aktuale dhe me shpresë se në vitin 2009 do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.
Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj në paraqitjen e fundit para mediave për këtë vit, ka thënë se qeverisja e keqe dhe humbjet janë karakteristika kryesore të vitit 2009. Për të ndryshuar këto trende, ai ka propozuar mbajtjen e zgjedhjeve dhe formimin e një qeveria, e cila do të merrej me sfidat e reja dhe të vjetra.
“Viti që vjen do të jetë një vit i vazhdimit të sfidave edhe të trashëgueme edhe nga ky vit, por edhe i sfidave të reja që i ka Kosova”, ka parashikuar ai.
Ai ka bërë një analizë të punës së Qeverisë gjatë këtij viti.
“Sipas analizës sime, burim i vështirësive për Kosovën është në cilësinë e qeverisjes, e cila nuk ka qenë e mirë nga Qeveria Thaçi, andaj uroj që viti që vjen të jetë një vit i zgjedhjeve parlamentare, njëkohësisht një vit i fillimeve pozitive zhvillimore për vendin”, ka shtuar ai.
Lideri më i zëshëm opozitar ka vazhduar të numërojë si dështime të institucioneve shtetërore, duke filluar nga situata në Veri, e deri te mungesa e luftës kundër korrupsionit.
“Dështim është gjendja në veriun e vendit. Dështim është cilësia e qeverisjes, do të thotë edhe niveli i demokracisë në vend, pastaj situata ekonomike, mosqeverisja në bazë të një plani zhvillimor për rritje të vlerës ekonomike të Kosovës, korrupsioni në shkallën e lartë është po ashtu dështim, në planin e jashtëm ka munguar Kosova “, ka thënë ai.
Kreu i AAK’së i ka komentuar edhe deklaratat e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi për ndërrime në Qeveri, duke thënë se largimi i disa njerëzve nuk e ndryshon trendin e qeverisjes së keqe.
Ai këtë e ka krahasuar me ndërrimet që kishte bërë Qeveria e kaluar AAK-LDK, duke e larguar Bajram Kosumin nga posti i kryeministrit, por gjendja nuk kishte ndryshuar sa i përket qeverisjes.
“Nga përvoja që kemi në të kaluarën, ju kujtohet, ne kemi bërë një herë një ndërhyrje në qeverisje, do të thotë kemi shkuar edhe me ndërrim të kryeministrit, por vështirë ndërrohen trendët kur nuk ndërron logjika qeverisëse”, ka thënë Haradinaj.