E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk jam lojtar i ndyrë

Mesfushori luftarak Lorik Cana insiston se ai nuk është futbollist i ndyrë, pa marrë parasysh se ka rekordin më të keq disiplinor në Premierligë.

Futbollisti i Sunderlandit konsiderohet si njëri prej mesfushorëve më të ashpër në ligën angleze, ndërsa stilin e lojës së tij në Angli kanë filluar ta krahasojnë me yje si Roy Keane e Patrick Vieira, të cilët shquheshin me lojë të ashpër dhe me ndëshkime të shpeshta.

Ai u ble gjatë verës që shkoi nga menaxheri Steve Bruce prej 5 milionë funtesh nga Marseille.

Gjyqtarët e dënuan atë për lojën që shfaqi me zemër, duke e ndëshkuar shpesh me karton të verdhë - 7 herë dhe duke e larguar nga loja me karton të kuq, një herë, në sezonin e tij të parë në Angli.

“Unë gjithmonë mundohem të jem korrekt kur luaj. Të jem i fortë natyrisht, por të jem fer. Vetëm një herë në jetë jam ndëshkuar me karton të kuq për një arsye tjetër, karshi atyre të ndalimit të ndonjë lojtari apo ndonjë loje të ashpër. Unë gjithnjë mundohem të jem fer dhe të luaj me topin”, u arsyetua Cana.

“Nganjëherë ju vonoheni ose shihni më shumë kompetencë, por ky është futbolli. Mirëpo, njerëzit e rëndësishëm mund ta shohin se unë nuk jam një djalë i keq ose dikush që mundohet ta lëndojë kundërshtarin. Këtë duhet ta dinë edhe gjyqtarët”, shtoi futbollisti kosovar.

Cana tha se kartoni i kuq kundër Aston Villas nuk ishte i mirë për të apo për skuadrën, por ajo është pjesë e futbollit.

Ai ka apeluar te gjyqtarët t’i japin atij paksa pushim, ngase stili i tij i lojës është i fortë, më shumë sesa i pakujdesshëm. Përfaqësuesi shqiptar ankohet se nganjëherë gjyqtarët e ndëshkojnë me karton të verdhë në faullin e tij të parë.

“Nuk mendoj se kjo është diçka normale. Nëse është e rrezikshme për kundërshtarin, atëherë po, mirëpo jo të ndëshkohesh vetëm për një ndalim”, vazhdoi ai.

Përkundër ndëshkimeve të shpeshta, 26 vjeçari nuk e ka ndërmend ta ndryshojë stilin e lojës së tij.

“Nganjëherë jam më i ashpër se që duhet. Natyrisht, të ndëshkohesh me kartonë të shumtë është problem, por unë nuk mendoj se është problem i madh për mua. Çdo vit unë luaj 34, 35 ndeshje në ligë. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Unë nuk jam lënduar kurrë dhe kjo duket se do të jetë e njëjtë edhe këtë sezon. Duhet t’i ndryshoj vetëm disa gjëra të vogla, të tjerat janë OK”, tha ai.

Në fund, ai shton se në Angli është një e mirë se mund të flasësh dhe të konsultohesh me gjyqtarët, për të cilët thotë se e kanë një punë të vështirë. Megjithatë, ai do të mundohet të vazhdojë ta ndihmojë Sunderlandin, siç bëri deri më sot.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›